Mediat serbe kane vleresuar maksimalisht aktorin shqiptar Bekim Fehmiu i cili humbi jeten nje dite me pare.

Edhe presidenti Tadic i ka derguar nje leter ngushellimi famljes se aktorit.

Lajmi për vdekjen e aktorit shqiptar, Bekim Fehmiu, është shumë i rëndë edhe për njerëzit në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve.

Ata e cilësojnë aktorin e ndjerë si figurë të pazakontë, të papërsëritshme, yll të Ballkanit dhe si njërin nga artistët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX.

74-vjeçari Bekim Fehmiu ka qenë yll i madh i kinematografisë jugosllave e botërore. Ka lindur në Sarajevë më 1 qershor të vitit 1936, nga i ati Ibrahim Fehmiu patriot dhe punëtor i shquar i arsimit shqip, kurse fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Prizren ku e ka mbaruar edhe gjimnazin.

Fakultetin e arteve dramatike e ka kryer në Beograd ku edhe e ka kaluar jetën me bashkëshorten Branka Petic, po ashtu aktore, me të cilën ka djemtë Uliksin dhe Hedonin.
Bekimi u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966, kur në festivalin e Kanës mori Palmën e Artë.

Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.
Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.

Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i njohur për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Rolet e tij në filmat “Edukata speciale”, “Odiseja”, apo “Aventurieri”, përmenden si kryevepra të kinematografisë botërore.
Bekim Fehmiu ka bashkëpunuar me shumë aktorë të njohur botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shoë, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, apo Claudia Cardinale.
Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Top Channel