Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një letre drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi shpreh qëndrimin se ndërhyrja gjatë arrestimit të liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ishte më e dhunshmja e regjistruar deri më sot kundër aktivistëve të kësaj lëvizjeje.

Në letrën e drejtorit ekzekutiv të KMDLNJ-së, Behxhet Shala drejtuar dy zyrtarëve, thuhet se monitorues të KMDLNJ-së kanë vizituar Qendrën për Ndalim në Prishtinë dhe kanë intervistuar të arrestuarit Albin Kurti, Florian Molliqajn dhe Faton Zekën.

Po ashtu, thuhet se KMDLNJ ka biseduar edhe me zyrtarë policorë. Sipas KMDLNJ-së, monitoruesit e tyre kanë vizituar edhe Qendrën Emergjente në QKUK dhe kanë biseduar me drejtorin e kësaj qendre.

“Pas të gjitha këtyre vizitave, KMDLNJ konstaton se kemi të bëjmë me një ndërhyrje shumë të dhunshme të njësitit special të Policisë së Kosovës. Të arrestuarit janë rrahur, siç është rasti i Sali Zybës dhe janë fyer me sharje”, thuhet në një komunikatë.

Më tej pohohet se të gjithë të arrestuarit janë keqtrajtuar fizikisht, që nga çasti i arrestimit, sidomos në automjetin e policisë e deri te Qendra për Ndalim, ku nuk ka pasur dëshmitarë, ndërsa Qendra për Emergjencë e QKUK ka qenë e mbushur me policë, të cilët thuhet se nuk kanë dashur t’i lejojnë vëzhguesit e KMDLNJ-së ta kryejnë punën e tyre.

Sipas Këshillit, përkundër faktit se policia ka deklaruar se janë të lënduar 12 policë dhe se tre prej tyre janë në trajtim në Qendrën për Emergjencë, vëzhguesit e KMDLNJ-së nuk kanë takuar asnjë polic të lënduar.

KMDLNJ kërkoi hetime dhe përgjegjësi pasi dhuna mund të ishte shmangur, sidomos ajo në Qendrën e Ndalimit që është e dënueshme me ligj.

Top Channel