Në ditën kur lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti do të paraqitet në gjykatë për herë të parë, në Kosovë paralajmërohen  protesta masive.

“Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë nënshkruar këtë peticion dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundur të nënshkruajnë këtë peticion, që të gjithë sëbashku ta mbrojmë këtë vullnet të shprehur i cili nuk po respektohet nga asnje institucion, as ndërkombëtar dhe as vendor”, deklaron për Top Channel, aktivisti i “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj.

Ndërkohë aktivistët e lëvizjes akuzojnë për dhunë brutale policinë e Kosovës.

“Kjo udhëheqje qyqare e policisë nuk ka guxim të ndërhyjë aty ku çdo polici normale do të ndërhynte, kundër strukturave paralele. Guximin e vetëm që ka është të rrahë aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje”, shprehet aktivisti Xhelal Sfeqla.

Në pyetjen e Top Channel se pse aktivistët nuk kishin dorëzuar Albin Kurtin në kohën kur iu është kërkuar nga policia në mënyrë që të mos rrezikohen aktivistëve të tjerë,  ata thanë:

“Niveli i brutalitetit nuk do të duhej të kontestohej me ndoshta një provokim”, deklaron, Liburn Aliu një tjetër aktivist i “Vetëvendosje”.

“Duhet bërë sulmi ndaj atyre që provokojnë me të vërtetë Kosovën. Vetëvendosja nuk provokon Kosovën, nuk provokon as policinë, ne kemi qënë në aktivitetin tonë, ata na kanë provokuar ne”, vijon më tej, Dardan Molliqaj.

Pas kësaj pyetje dhe përfundimit të konferencës, aktivistët e këshillit të peticionit kundër gjykimit të Albin Kurtit, Dejona Mihai dhe Elvis Hoxha nxitën një sulm verbal kundër ekipit të ekipit të Top Channel. Sulmi i papërshtatshëm vuri në shënjestër punën e disa ditore të televizionit që përpiqet me paanshmëri të mbulojë zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me lëvizjen “Vetëvendosje”.

Nga ana tjetër, në lidhje më ngjarjet reagoi edhe lideri opozitar, Ramush Haradinaj.

“Nëse ka urdhër arresti policia duhet të kryejë punën e saj. Ashtu si Albini ka të drejtat e tij po ashtu edhe polici ka të drejtat e veta. Edhe ai ushtron një funksion. Është në obligim të Vetëvendosjes që të zgjidhë këtë çështje”, shprehet Ramush Haradinaj.

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti u arrestua të shtunën në Prishtinë, gati 3 orë pasi shpalli synimin e tij për të hyrë në garën e  ardhshme elektorale si forcë politike. Nga ky aksion u lënduan rreth 19 aktivistë, 3 prej tyre me lëndime të rënda.

Top Channel