Në ditën e Çlirimit të Prizrenit, në një nga pikat më të frekuentuara të këtij qytetit, u bë përurimi i Monumentit të Paqes kushtuar Trupave të NATO-së.

Ky monument, jo vetëm që rikujton ndihmën e miqve paqeruajtës të NATO-s për Kosovën, por edhe do të pasurojë numrin e monumenteve kulturo-historike të qytetit të lashtë të Prizrenit.

Me këtë rast kryeministri Hashim Thaci vlerësoi se ky monumenti pasqyron shpirtin dhe zemrat e popullit të Kosovës, teksa drejtuesit e KFOR-it këtë vepër e konsiderojnë si simbol mirënjohës për paqeruajtësit.

“Sepse pas luftës që zhvilluam në Kosovë, kundër ushtrisë, policisë dhe administratës serbe në Kosovë, njësitet e UÇK-së, gjithë populli i Kosovës, në luftën tonë të drejtë për liri dhe shtet, u vu në mbrojtje dhe mbështetje të plotë e gjithë Aleanca. Më lejoni të shpreh mirënjohjen, vlerësimin dhe respektin në emër të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

“Ju falënderoj për këtë monument. Në të, përveç simbolit të mirënjohjes për ushtarët e KFOR-it, njëkohësisht shoh edhe synimet e Kosovës si shtet multietnik dhe multifetar për të ecur drejt të ardhmes së saj”, tha Manfred Hofmeyer, komandanti i KFOR-it në Prizren.

Teksa zyrtarët e Prizrenit kanë menduar për ngritjen e këtij Monumenti kushtuar NATO-s, ende nuk ka të tillë që kujton veprën e ushtarëve të UÇK-së që kishin hyrë në ditën e çlirimit.

Projekti kushtoi rreth 55 mijë euro, ndërsa mjetet janë siguruar nga buxheti komunal. Ndërtimi i këtij projekti kishte filluar vitin e kaluar.

Top Channel