Zhvillim negativ konsiderohet për Greqinë anulimi i naftësjellësit Burgas Aleksandrupolis, sipas një deklarate të befasishme të bërë nga vete kryeministri bullgar Bojko Borisov në mesditën e së premtes.

Sipas udhëheqësit bullgar, shkaku kryesor i anulimit të këtij projekti ishin reagimet e fuqishme të banorëve të zonave bregdetare të Detit Të Zi, për pasojat ambientaliste që mund të sillte konstruktimi i tij, sidomos pas ngjarjeve në gjirin e Meksikës.

Gjithashtu Borisov është shprehur se në këtë periudhë krize vendi i tij nuk mund të gjejë burimet e duhura financiare që do të duheshin për të realizuar këtë vepër, ndërsa fitimet do të ndjeheshin pas shumë vitesh në ekonominë vendase. Nga ana tjetër përshtypje krijon fakti, se ministri i Energjitikës së Bullgarisë ka deklaruar se kabineti qeveritar ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Pozicionimi i kundërt i qeverisë konservatore bullgare ndaj kësaj vepre ishte bërë i qartë qysh kur ajo erdhi në fuqi në vitin e kaluar.

Naftësjellësi do të ishte 300 kilometra dhe do të sillte naftën ruse nga porti bullgar i Burgës në atë grek të Aleksandrupolit. Ai ishte  konceptuar 16 vjet më parë si një mjet që do të shmangte transportin e naftës përmes ngushticës së mbingarkuar me trafik të Bosforit. Rusia e pa si një projekt strategjik, pasi pronësia mbi të mund të përcaktonte se kush do ta kontrollonte fluksin e naftës në rajon. Marrëveshja ishte nënshkruar në Athinë në 2007-ën, midis Kremlinit që do të kishte 52% të projektit, Sofjes dhe Athinës që do të kishin nga 24% secila.

Nga ana e saj Athina, e cila me ndërtimin e kësaj vepre synonte të bëhej një prej aktorëve energjitikë në rajon, ka deklaruar nëpërmjet zëdhënësit të qeverisë Jorgos Petalotis, se Greqia ndjek me rigorozitet perspektivën e ndërtimit të naftësjellësit Burgas-Aleksandroupolis dhe vazhdon përpjekjet e saj drejt përfundimit të këtij projekti.

Top Channel