132 vjetori i Prizrenit, përkujtime edhe në Shkup

11/06/2010 02:40

Me një sërë aktivitetesh u përkujtua në Shkup 132 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Organizatorët, Muzeu i Lirisë dhe Komuna e Çaires shprehën mirënjohje për Ministrinë e Transportit të Shqipërisë dhe Kosovës për kontributin në ndërtimin e rrugës së kombit.

“Kam nderin t’iu informoj se Këshilli Organizativ ka vendosur njëzëri që të ndajë vlerësime për zotin Sokol Olldashi, Ministër i Transportit në Republikën e Shqipërisë dhe për zotin Fatmir Limaj Ministër Transporti në Republikën e Kosovës për kontributin e tyre në frymën e Lidhjes së Prizrenit nëpërmjet ndërtimit të rrugës së kombit dhe lidhjes së pandashme të Prishtinës me Tiranën”, tha në fjalën e tij kreu i Komunës Caire, Izet Mexhiti.

Por vetë ministrant, Olldashi dhe Limaj nuk ishin të pranishëm për marrjen e mirënjohjes por ato iu dorëzuan përfaqësuesve të dy ministrave.

Më pas u mbajt një akademi solemne në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Kreu i PDI-së Ali Ahmeti në fjalën e tij para të pranishmëve tha se kjo datë duhet përkujtuar çdo vit.

“Asnjëherë nuk kemi qenë më pranë ndërtimit të ideologjisë bashkuese dhe integruese sepse realizimi i Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimi i shtetit të Kosovës dhe Shqipëria në NATO, janë shenja më ogurmirë se Ballkani ynë i deridjeshëm, nga fuci baruti po shndërrohet në faktor stabiliteti, paqje dhe perspektive”, tha zoti Ahmeti.

Përveç fjalimit të Ali Ahmetit u lexua edhe një referencë historike nga drejtori i institutit për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, Ramiz Abdyli.

Top Channel