Një sasi prej 74 kilogramësh heroinë e pastër është ndaluar prej organeve policore greke mëngjesin e së enjtes.

Sipas policisë së Athinës, lënda narkotike ishte fshehur në një kamion me targa Maqedonase.

Në pranga ka rënë një shtetas maqedonas, 28 vjeç, me origjinë shqiptare, emri i të cilit nuk bëhet publik për arsye hetimi.

Policia ra në gjurmë të bandës së narkotikëve pas informacioneve të marra në rrugë operative, që bënin fjalë për një sasi të madhe droge e cila do të hynte në Greqi nëpërmjet Turqisë.

Policia mundi të gjente dhe të ndalonte kamionin në kilometrin e 217-të të autostradës që lidh Athinën me Selanikun.

Heroina ishte paketuar në pako të vogla gjysmë kilshe dhe ishte veshur me një mbështjellëse speciale për t’u mos u zbuluar prej qenëve të anti-drogës.

Korrieri 28 vjeçar i drogës ka treguar në polici emrat e pronarëve të ngarkesës dhe pritësit e saj, që janë anëtarë të një bande serbo-shqiptare të trafikut të lëndës narkotike.

Policia ka shpallur në kërkim edhe disa persona të tjera, por burime nga drejtoria e policisë së Athinës, thanë për Top Channel se së shpejti do të ketë deklarata lidhur me këtë trafik.

Top Channel