
Kriza politike shqiptare kalon drejt protagonistëve europianë. Ndërmjetësuesit e darkës së Strasburgut kanë zhvilluar ditët e fundit kontakte intensive me njëri-tjetrin, në përpjekje për t’u imponuar para klasës politike shqiptare me një qëndrim të unifikuar.
Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur dje për gazetën “Shqip”, se kontaktet kanë përfshirë të dyja palët e përfshira në zgjidhjen e krizës shqiptare, pra si europarlamentarët e partive të majta, ashtu dhe ato të partive popullore.
Ky rifillim i dialogut ndërkombëtar për krizën shqiptare në një kohë kur vetëm klasa politike në Tiranë ka zgjedhur rrugën mediatike të komunikimit, dëshmon për faktin se do të jetë edhe njëherë direktiva politike e Brukselit ajo që do t’i drejtojë dy partitë shqiptare drejt një kompromisi mbi të cilin ato sipas gjasave vetëm do të firmosin.
Po kështu, sipas burimeve nga qeveria, nënvizohet fakti se angazhimi mes përfaqësuesve të PPE dhe PSE po i përmbahet qëllimit për përpilimin e një drafti të unifikuar, i cili mandej do t’u vihet në tryezë drejtuesve në Tiranë.
Teknikisht ky opsion fiton hapësirë, pasi njohja e specializuar e dukurisë shqiptare, por edhe legjislacionit në vendin tonë, është e plotë pas vizitës së ekspertëve të Parlamentit Europian në Tiranë dy javë më parë.
Top Channel