Pas paralajmërimeve të EULEX  për arrestime në radhët e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe hetimeve enkas për Ministrin e Transportit Fatmir Limaj, kryeminsitri  Hashim Thaçi ka deklaruar se qeveria e tij do të ballafaqohet drejtpërdrejtë me korrupsionin.

Në mbrëmjen e së martës, në një fjalim të posaçëm  drejtuar popullit të Kosovës, por që në fakt tingëlloi si një mesazh drejtuar ndërkombëtarëve, kryeministri i Kosovës premtoi se ligji do të veprojë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve madje dhe udhëheqësve të tyre.

“Ju nuk jeni ende plotësisht të sigurtë nëse qeveria e mendon atë që thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejtë me korrupsionin dhe do ta çrrënjosë atë nga sistemi. Më vjen keq që nuk ia kemi arritur që t’iu bëjmë të ndiheni më të sigurt, por ju siguroj se ne do të punojmë maksimalisht që të mos e tolerojmë korrupsionin ashtu siç nuk e toleroni ju. Institucionet e Kosovës do të jenë në vijën e parë në luftën kundër korrupsionit. Nëse dyshimet aktuale do të dëshmojnë se janë bërë keqpërdorime në do të ndërmarrim masa të menjëhershmë ndaj atyre që gjenden fajtorë. Kjo është ajo që ju prisni nga ne dhe që ne kërkojmë nga vetvetja”, thuhet në fjalën e kreut të qeverisë së Kosovës drejtuar popullit kosovar.

Duke vënë theksin tek drejtësia e barabartë për të gjithë, Thaçi premtoi përgjegjshmëri të barabartë para drejtësisë, madje edhe të udhëheqësve, siç u shpreh ai.

“Ne do të punojmë me EULEX-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë me qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Një sistem i cili inkurajon investimet duke zbatuar kontrata dhe duke inkurajuar zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjeve duke i bërë të gjithë, madje edhe udhëheqësit tuaj, të përgjegjshëm ndaj standarteve të njëjta. Ky është synimi parësor i kësaj qeverie. Unë kam mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Shpresoj në bashkëpunim dhe partneritet duke përjashtuar çdo fërkim të panevojshëm’, vijon më tej në fjalën e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës, Thaçi.

Në fund kryeministri kosovar, pasi radhiti sfidat si ajo e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e pret Kosovën, apo vështirësitë në të cilat e vendos një fqinj që po përpiqet të minojë pavarësinë e saj çdo ditë, kërkoi ndihmën e popullit të Kosovës.

“Do të vazhdoj të jem në krye të obligimeve dhe të marr vendime që mendoj se janë më të mirat për vendin dhe për ju qytetarë të nderuar. Por unë nuk jam i pagabueshëm, nuk jam i përsosur më duhet ndihma dhe përkrahja juaj. Nuk mund të ecim përpara nëse jemi të zemëruar me njëri-tjetrin dhe nëse kemi dyshime në motivet e njëri-tjetrit.

Top Channel