Pak ditë pasi EULEX-i publikoi raportin mbi gjyqësorin kosovar, Presidenti Fatmir Sejdiu vizitoi Gjykatën Supreme të Kosovës nga ku u shpreh se politika nuk duhet të ndikojë në punën e këtij institucioni.

Sejdiu u takua me kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani të cilin e inkurajoi për zbatim të drejtë të ligjit.

“Është shtyllë e veçantë e shtetit, e pavarur tërësisht nga ndikimi politik dhe janë thirrur në mënyrën më të suksesshme të mundshme që të bëjnë zgjedhjet e lëndëve mbi bazën e ligjit, Kushtetutës dhe të jenë kreatorë, kultivues por edhe zbatues të ligjit në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Sejdiu për gazetarët.

Presidenti nuk komentoi paralajmërimet e EULEX-it për arrestim të mundshëm të zyrtarëve të lartë, por tha se drejtësia duhet të bëjë punën e saj.

“Në drejtësi ekziston një parim i kahmotshëm: Më sill faktet të ndaj drejtësinë, dhë për gjithëçka duhet të bëhet pa paragjykim se cili do të jetë epilogu i çdo nisme që ndërmerret nga ana e gjyqësorit. Edhe në këtë rast bashkëpunimit thelbësor që ka me EULEX-in”, tha më tej, Sejdiu.

Nga ana tjetër presidenti shprehu besim tek drejtësia. Sipas tij në krye të gjykatave është elita e juristëve më të mirë të Kosovës.

Top Channel