Ndryshime ligjore për të ndalur rritjen e borxhit

07/06/2010 09:35

Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë përgatitur një propozim për një ndryshim ligjor që synon të shmangë rritjen e stokut të borxhit publik për vitet e ardhshme, gjë që mund ta ndihmojë vendin tonë të ruajë reputacionin e vet para donatorëve dhe investitorëve të huaj.

Burime nga ministria thonë se me propozimin e ri synohet të shmanget deficiti i lartë buxhetor në vitet me rritje të pakët ekonomike.

Në rast se miratohet dhe respektohet nga qeveria, një ligj i tillë mund të bllokojë ose së paku të pengojë spekulimet e qeverive me financat publike në vitet elektorale, gjë që ka ndodhur rëndom gjatë njëzet viteve të fundit.  

Skema aktuale

Qeveria parashikon zakonisht deficit buxhetor në terma absolutë, gjë që do të thotë se Parlamenti e autorizon qeverinë të shpenzojë një sasi parash më shumë se të ardhurat, pa marrë parasysh se si do të ecë ekonomia. Kështu, për vitin 2009, qeveria u autorizua të shpenzojë 50 miliardë lekë më shumë se sa të ardhurat e veta.

Kjo shifër u rishikua në mes të vitit me të ashtuquajturin “buxhet suplementar” në 82 miliardë lekë.

Treguesi relativ, pra deficiti në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, është konsideruar gjithmonë si një shifër e vlefshme për studime shkencore, jo si detyrim për t’u respektuar nga qeveria.

Duke qenë se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me vetëm 3 për qind gjatë vitit të kaluar, shuma prej 82 miliardë lekësh shkaktoi një rritje të stokut të borxhit publik në raport me PBB-në me 5 pikë përqindjeje.

Pra borxhi publik u rrit nga 55 për qind në 2008, në afro 60 për qind në 2009. Kjo situatë mund të përkeqësohet edhe më shumë këtë vit. Qeveria është zyrtarisht e autorizuar të shpenzojë 50 miliardë lekë më shumë se sa të ardhurat e veta.

Në një vit normal, kjo shifër nuk do të krijonte asnjë problem, për shkak se përbën vetëm 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe se rritja ekonomike e mbulon më së miri. Por në rast se ekonomia nuk pëson rritje këtë vit, gjë që parashikohet nga shumë institucione ndërkombëtare, atëherë shifra prej 50 miliardë lekësh do ta rrisë stokun e borxhit publik nga 60 për qind e PBB-së që është sot, në 63 apo 64 për qind.  

Propozimi

Ekspertët shpresojnë që qeveria t’ia imponojë vetes kufizimin e mosrritjes së mëtejshme të borxhit publik, jo më si një tregues shkencor, por si një detyrim ligjor. Propozimi synon ta detyrojë qeverinë të shkurtojë shpenzimet buxhetore në raport me të ardhurat e buxhetit.

Vendosja e treguesve të borxhit dhe deficitit në raport me PBB-në si detyrime ligjore për qeverinë, mund të zgjidhë një akrobaci juridike me të cilën qeveria ka luajtur me bollëk në të shkuarën.

I pyetur për faktin se deficiti i vitit 2009 qe përcaktuar bazuar në rritjen ekonomike 6 për qind, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se nuk shihte asnjë problem, pasi “Parlamenti ka autorizuar deficit në terma nominalë”.

Rritja e stokut të borxhit publik në Shqipëri gjatë vetëm dy viteve të fundit, ka shkaktuar shqetësime edhe për Bankën Botërore. Kryeekonomisti i BB-së, Indermit Gill, deklaroi në Tiranë javën e kaluar: “Është koha që ju t’i impononi vetes disiplinë financiare tani, sepse përndryshe do të jenë tregjet që do t’jua imponojnë disiplinën. Viti 2010 do të jetë vendimtar për Shqipërinë”, shtoi ai.

Qeveria është angazhuar teorikisht të ulë stokun e borxhit publik në 53-54 për qind të PBB-së deri në vitin 2013, por skenari i saj nuk ka marrë parasysh një situatë të vështirë ekonomike.

 Reduktimi i stokut të borxhit në raport me PBB-në bazohet në parashikimin se ekonomia do të rritet me 6 për qind në vit. Pra më shumë se sa reduktim të borxhit, qeveria ka parashikuar rritje të ekonomisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA