Policia e Cekisë në bashkëpunim me atë suedeze kanë ndërprerë një kanal të trafikimit të drogës nga Kosova drejt vendeve skandinave.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave agjentët e anti-drogës të dy vendeve kanë sekuestruar 10 kilogramë lëndë narkotike të tipit heroinë, si dhe kanë arrestuar tre persona, një kosovar, një polak dhe një cek.
Operacioni është kryer në muajin maj, por vetëm sot autoritetet ceke dhe ato suedeze kanë publikuar lajmin.
Sipas burimeve, hetuesit cekë dhe ata suedezë po e mbanin nën mbikëqyrje grupin kriminal prej disa muajsh dhe pasi kishin siguruar informacionet e duhura prangosën transportuesin e drogës.
Burimet saktësojnë më tej se truri i trafikut ishte shtetasi kosovar, emri i të cilit është i njohur për autoritetet policore skandinave.
Më parë ai ka organizuar transport të heroinës nga Kosova drejt Italisë, Spanjës dhe Zvicrës, në bashkëpunim me trafikantin polak. Tre trafikantët aktualisht ndodhen në qeli dhe rrezikojnë të dënohen deri në 15 vjet burg secili.
Top Channel