Rrugët, firmoset kredia

05/06/2010 08:55

Pas shumë negociatash, qeveria shqiptare dhe Banka Europiane e Investimit kanë nënshkruar dje marrëveshjen për financimin e rrugëve dytësore dhe rurale.

Bëhet fjalë për një kredi prej 50 milionë dollarësh që do t’i bashkëngjitet fondit total prej 400 milionë dollarësh për ndërtimin e 1500 kilometrave rrugë dytësore.

Marrëveshja për BEI-n u firmos nga zv.presidenti Dario Scannapieco, përgjegjës për Italinë, Maltën dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe nga Ridvan Bode, ministri i Financave për Shqipërinë.

Kjo është kredia më e madhe e akorduar nga BEI për vendin tonë. Synimi i projektit është përmirësimi i transportit në zonat rurale dhe lehtësimi i transferimit të produkteve bujqësore në tregjet urbane.

Ndërtimi i rrugëve besohet se do të sjellë edhe përmirësim në shërbimet arsimore dhe shëndetësore të qeverisë për zonat rurale.

Kostoja totale e projektit në zbatim është 140 milionë euro dhe është bashkëfinancuar nga Komisioni Europian, si dhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Programi i rehabilitimit të rrugëve dytësore menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Banka Europiane e Investimeve është e pranishme në Shqipëri që nga viti 1995 dhe deri më sot ka dhënë kredi të përgjithshme prej 350 milionë eurosh në projekte të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA