Që prej të premtes policia ka nisur operacionin për pastrimin e kryqëzimeve në afërsi të bulevardit kryesor nga personat që bllokojnë qarkullimin duke lypur.
40 persona u shoqëruan në komisariate dhe pesë prej tyre u vendosën nën akuzë për shfrytëzim të të miturve në lypje.
Në 12 qershor është dita botërore kundër shfrytëzimit të të miturve dhe lypjes.
Konferencat që do të mbahen atë ditë rrezikonin të shoqëroheshin me morinë e lypësve që jetojnë në kryqëzimet e Tiranës ku fitojnë jetesën.
Në ndihmë të imazhit të vendit ka ardhur policia. Mes dhjetra strategjive sensibilizuese, afisheve të publikuara në rrugë kundër lypjes apo konferencave të shumta kombëtare me këtë temë, imazhet e fëmijëve lypës që zgjasin duart rrugëve të Tiranës nuk u arritën të fshihen, pavarësisht se çështja e lypjes nuk është gjë tjetër veçse sociale.
Largimi i lypësve nga rrugët kryesore të Tiranës është marrë përsipër në vite të ndryshme nga drejtues të shumtë, edhe pse u shtruan strategji dhe u deklaruan koalicione jo qeveritare.
Duke parë mos ndryshimin e kësaj situate burime të Top Channel pohuan se të premten në mbrëmje forca të policisë shoqëruan lypsa të shumtë në komisariate dhe më pas njoftuan komisariatet e rretheve nga ata vijnë për t’i kthyer në vendbanimet përkatëse.
Policia e Tiranës pohon për Top Channel se edhe në ditët në vijim rrugët do të ketë shoqërime të tilla. Por ndërkohë konfirmohet se në fillim të javës kjo polici do t’i dërgojë një shkresë zyrtare Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale për gjetjen e një zgjidhjeje për këta persona në nevojë.
Nga një vëzhgim i kameras të TCH rrugët e përdorura më së shumti për lypje, ajo e “Elbasanit” dhe “Myslym Shyri” nuk kishte më lypsa. Por në këtë rrugë me dalje në bulevard të miturit të shoqëruar nga persona madhorë përdoreshin për larjen e xhamave të makinave, edhe kjo një mënyrë lypjeje.
Por burimet e TCH e lidhin këtë operacion të policisë me dy takime të rëndësishme rajonale që do të bëhen dy javët që vjen, njëra prej të cilave ka lidhje me 12 qershorin, dita botërore kundër shfrytëzimit të të miturve dhe lypjes.
Top Channel