Rryshfeti, rritet “torta” e korrupsionit

04/06/2010 15:10

Banka Botërore thotë se numri i bizneseve në Shqipëri që raportojnë se kanë rënë pre e korrpusionit është ulur.

Sipas një studimi të fundit të bankës, numri i bizneseve që kanë paguar rryshfete ka rënë nga 48 për qind që ishte në 2005-ën, në 13 për qind në fund të vitit 2008. Por më shumë se sa një rënie e mirëfilltë e kostos së korrpusionit për biznesin, këto tregues ngjajnë më shumë me një ndryshim strategjie të zyrtarëve që marrin rryshfet.

Nëse numri bizneseve që kanë raportuar se paguajnë rryshfet ka rënë me 3.5 herë, fatura e rryshfeteve e atyre që paguajnë është rritur me katër herë. Banka thotë se firmat që bien pre e korrupsionit në Shqipëri paguajnë sot mesatarisht 10.2 për qind të xhiros vjetore si rryshfete për zyrtarët nga 2.5 për qind që paguanin në vitin 2005.

E thënë ndryshe, sipas bankës, sot paguajnë rryshfete më pak biznese, por ato që bien pre, paguajnë faturë të kripur. Këto rezultate tregojnë se në total kostoja e korrupsionit për bizneset mund të mos jetë ulur, por vetëm zyrtarët e kanë përqëndruar mitmarrjen në pak biznese. Një tjetër shqetësim mbetet, korrupsioni i lartë në fushën e prokurimeve publike dhe kontratave të qeverisë, tregues me tendenca të forta përkeqësimi në dy vitet e fundit.

Sipas Bankës në vitin 2005, rreth 58 për qind e bizneseve që kanë marrë pjesë në prokurime publike kanë raportuar se kanë paguar rryshfet. Në vitin 2007 shifra u ul në 45 për qind, por në fund të 2009-ës, ajo u rrit sërish në 55 për qind. Kjo shifër që është gati e barabartë me vitin 2005, hedh dyshime të forta mbi suksesin e prokurimeve elektronike, fort të trumbetuara nga qeveria, por që sipas bankës jo vetëm nuk po e ulin korrupsionin, por po e rrisin atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA