
Përmbytjet e dyta dhe të treta në Shkodër, të shkaktuara nga hapja e portave te hidrocentraleve gjatë muajit mars dhe prill të ketij viti, kanë dëmtuar 1800 familje duke u shkaktuar një dëm total prej 280 milonë lekësh.
Ky ka qenë dhe përfundimi që kanë nxjerrë grupet e verifikimit në Shkodër, të cilat prej disa ditësh kanë rregjistruar dëmet.
Ndërkohë, pritet të zhvillohet mbledhja e qeverisë, e cila më pas pritet të miratojë shumën në fjalë për banorët e dëmtuar.
Dhe pas miratimit nga qeveria, sipas drejtuesve të qarkut Shkodër, do nisë dhe shpërndarja e parave për cdo familje, ashtu sic është vepruar herën e parë.
Ajo që bie në sy në verifikimin e dëmeve të shkaktuara në përmbytjen e tretë dhe të dytë është fakti se dëmet janë shkaktuar kryesisht në bujqësi dhe më pak në banesa.
Ndërkohë, pjesë e punës së grupeve të verifikimit ka qenë dhe rishqyrtimi i ankesave të banorëve, të cilët kanë pasur pakënaqësi në lidhje me dëmshpërblimet që kanë marrë pas përmbytjes së parë.
Konkretisht janë 32 familje që u janë marrë në rishqyrtim ankesat dhe do përfitojnë të gjitha së bashku një shumë prej 7,5 milonë lekësh.
Në të njëjtën kohë janë verifikuar dëmet për herë të parë dhe në disa zona të cilat kanë pasur prezencë uji deri pak javë më parë, si fshatrat e Çasit, Luarzit dhe Pentarit të komunës Velipojë dhe konkretisht janë rreth 362 familje të këtyre fshatrave që janë verifikuar nga ku vlera e dëmit që ato kanë pësuar arrin në 120 milionë lekë.
Sipas drejtuesve të qarkut Shkodër, pas verifikimeve të dëmeve të dyta dhe të treta mbyllet e gjithë procedura përsa i përket dëmeve që KESH u ka shkaktuar banorëve të Nënshkodrës nga hapja e detyrueshme e portave te hidrocentraleve mbi lumin Drin.
Top Channel