Dervishi: Burimi i krizës, Kodi Zgjedhor

03/06/2010 00:55

Për analistin Lutfi Dervishi, burimi i krizës dhe ngërçit politik që ka përfshirë vendin është Kodi Zgjedhor, pasi sipas tij politika shqiptare nuk ka pjekuri demokratike për të patur vetëm dy aktorë.

Duke folur në Top Show, analisti shtoi se u premtua një parlament më cilësor dhe se partitë politike të vogla janë të nevojshme për politikën shqiptare.

“Burimi i krizës është Kodi Zgjedhor. Kodi Zgjedhor solli zhdukjen e një sërë partish politike, madje në zgjedhjet e ardhshme rrezikon edhe LSI-ja. Ndryshimet zgjedhore  premtuan kualitet në parlament, një parlament më cilësor por që nuk e arritën. Shqipëria nuk është gati për një parlament me dy aktorë”, deklaroi analisti Dervishi.

Ndërkohë, për analistin Mentor Nazarko, Berisha është treguar më shumë takticien se sa rivali politik, Edi Rama. Nazarko tha se kriza politike reflekton ende tranzicionin shqiptar dhe se vendi nuk është gati për BE-në.

“Berisha ka treguar se e ka mundur gjithmonë taktikisht Ramën, gjithmonë, por edhe përfaqësuesit e BE-së. Kujt i shkonte në mendje neni 178? Europianët fillimisht e kujtuan krizën politike shqiptare si mjaft të thjeshtë. Shqipëria është në tranzicion, është krizë tipike tranzicioni dhe nuk është gati për BE-në”, u shpreh Nazarko.

Top Channel