Byreku, një traditë ende e gjallë

03/06/2010 19:10

Eshtë kohë dreke dhe një kryeqytetase na mirëpret në shtëpinë e saj. Makbule Rexha është 62 vjeç.

Ajo është një zonjë e vërtetë traditash dhe sot do të përgatisë për ne një gatim tradicional. Nënë Bulja po i jep formë tani një prej specialiteteve të saj, byrekut. Me shumë sesa një vazhdim të traditës, këtë lloj gatimi ajo e ka pasion. “Për herë të parë kam gatuar byrek kur kam qenë 14 vjec. Më ka mësuar nëna. Dhe që prej atëherë e kam ruajtur”, thotë ajo. Sot në kohët moderne, kur shumë gra servirin në tryeza byrekun e idustrializuar, atë që përgatitet me petë të gatshme, Makbulja nuk lodhet të dhurojë shijen origjinale të gatimeve të saj.

“E gatuajmë gjithmonë, e përdorim gjithmonë. Nuk i blej petat e gatshme sepse kështu e ka shijen më të mirë. I bëjmë me qepë, me domate, kos, vezë, qumësht”, thekson Makbulja. Byrekët e nënë Makbules nuk i preferojnë vetëm familjarët, por të gjithë. Për farefisin ajo është “uji i pakët” që vjen nga e shkuara me plot tradita në kuzhinë. Drita, kunata e saj, nuhat që në ajër aromën u byrekëve të Makbules teksa ata janë duke u pjekur në furrë. Ajo e di që gatimet e saj sot lakmohen më shumë, sidomos nga zonjat e fisit.

Kështu që, Makbulja nuk përton t’ua plotësojë kërkesat atyre sa herë kërkojnë byrek prej duarve të saj. E qetë e punëtore, si zonjat e hershme të traditës shqiptare, nënë Bulja e papërtueshme i ve në dispozicion për gatime duart e saj sa herë që dikush jashtë rendit të menusë javore i kërkon që ajo të përgatisë përsëri një byrek. Brezi i gjyshërve dhe nënave në moshën e kësaj gruaje e kanë përcjellë devotshmërisht deri sot traditën e gatimeve që mbajnë vulën origjinale të shijes, e cila mbetet e pazëvendësueshme nga asnjë lloj fabrikimi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel