Samiti i Sarajevës, Hyseni e Jeremiç në një tryezë

02/06/2010 11:00

Në Sarajevë sot mbahet samiti i përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, ku pritet të rikonfirmohet perspektiva evropiane e rajonit dhe të mbështetjes së BE-së ndaj kësaj perspektive.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera në Sarajevë është njohje unanime ndërkombëtare për vendin.

Kosova do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Skender Hyseni. Radio Evropa e Lire thekson ndër të tjera se kjo hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në shkurt 2008, që në një tryezë të përbashkët bisedimesh do të ulen ministri i Jashtëm i Kosovës Skender Hyseni dhe ai i Serbisë, Vuk Jeremic.

Samiti i Sarajevës, i organizuar nga Presidenca Spanjolle me përkrahjen e BE-së, do të shënojë përvjetorin e 10-të të Samitit të Zagrebit më 25 nëntor 2000, ku BE-ja filloi Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor. Ato u konfirmuan në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku po ashtu u organizuan takime të rregullta të nivelit të lartë.

Top Channel