Në përleshje të dhunshme degjeneroi protesta e rreth 2 mijë personave përballë  ambasadës izraelite në Athinë.

Protesta e lajmëruar prej  grupimeve të majta, filloi rreth orës 19.30. Fillimisht manifestuesit hodhën parrulla kundër operacionit izraelit në anijet e ndihmës. Ata akuzuan shtetin hebre, për aktin e vrasjes gjakftohtë të aktivistëve të paarmatosur në ujrat ndërkombëtare.

Në vazhdim, një grup protestuesish, hodhën shishe me uje mbi forcat e shumta të rendit. Policia reagoi duke shpërndarë njerëzit me  gaz lotsjellës dhe kimikate. Prej akteve të dhunës u plagosën të paktën tre persona, ndërsa policia ndaloi më shumë se 15 protestues. Përleshjet jashtë ambasades dhe në rrugën “Qifisias” vazhduan për rreth dy orë. Protestuesit u shpërndanë nëpër rrugicat e qendrës së Athinës.

Aktualisht,situata në kryeqytetin grek është e qetë. Më heret, Ministria e Jashtme greke njoftoi se asnjë qytetar grek nuk është vrarë ose plagosur prej aksionit të forcave  speciale izraelite mbi aktivistët  që ndodheshin në një flotilje prej gjashtë anijesh, 70 milje larg brigjeve izraelite.

Ministria  njoftoi se i ka kërkuar palës izraelit të garantojë jetën e qytetarëve të saj që ndodhen në bord, dhe t’i riatdhesojë ata menjëherë.

Reagimet greke ishin tepër të ashpra pas sulmit të mëngjesit mbi aktivistët në katër prej anijeve që lundronin me flamurin grek. Reagimet në Athine, pritet të përshkallëzohen, ndërsa të gjitha partitë politike, i kërkuan qeverisë Papandreu të marrë masa drastike ndaj Izraelit. Ndërkohë, në një deklaratë të tij, kryeministri grek, dënoi aktet e dhunës ndaj aktivistëve. Ai tha se këto janë akte të pajustifikueshme.

Top Channel