Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet ta japë vendimin për pavarësinë e Kosovës më 22 korrik të këtij viti.

Shpallja e vendimit në formën e një opinioni këshillues pritet të bëhet gjatë një seance publike në Pallatin e Paqes në Hagë, në praninë e të gjitha shteteve që kanë marrë pjesë në çështjen për Kosovën. Kështu njoftojnë disa të përditëshme sot në Prishtinë, të cilat citojnë burime diplomatike.
 
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shqyrtoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në tetor të vitit 2008.

Kjo Gjykatë, në dhjetorin e vitit të kaluar, ka mbajtur seancat dëgjimore në të cilat janë përmendur argumente “pro” dhe “kundër” pavarësisë së Kosovës.

Deri tani ishin përmendur afate të ndryshme kohore për shpalljen e këtij vendimi. Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për datën, por nuk e përjashton mundësinë që çështja të mbyllet këtë verë.

Bazuar mbi ecurinë e proçesit analistët presin që vendimi të jetë i balancuar, pra pa gjykim të prerë pro apo kundër pavarësisë.

Top Channel