Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu takoi sot përfaqësuesin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë,  Lamberto Zannier.

Presidenti Sejdiu falënderoi z. Zannier për rolin e UNMIK-ut që nga vendosja e këtij misioni në Republikën e Kosovës, duke e cilësuar investimin ndërkombëtar në Kosovë si një histori të suksesshme.

Ai gjithashtu përsëriti se është koha që UNMIK-u të përmbyllë gradualisht misionin e tij në vendin tonë.

Në takim, presidenti Sejdiu foli për zhvillimet në Kosovë, për procesin në rritje të njohjes së Republikës së Kosovës nga gjithnjë e më shumë vende, si dhe për një varg procesesh të ndërmarra në drejtim të përshpejtimit të hapave për anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit në strukturat euro-atlantike.

Ai tha se Kosova eshte duke punuar që në një të ardhme të afërt, me shtimin e njohjeve, të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke qenë partner i rëndësishëm për bashkëpunimin me të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Top Channel