Greqi, skandali “Siemens”, fakte të reja në dritë

28/05/2010 00:00

Në vazhdim të hetimeve të skandalit “Siemens”, që prej disa vitesh po trondit politikën greke, detaje të reja të këtij skandali kanë dalë në dritë pas hetimeve të komisionit të posaçëm parlamentar të ngritur nga ekzekutivi.

Gjatë seancës së fundit të ketij komisioni, ish-ministri i Transportit në qeverinë Simitis, Anastasios Mandelis, pranoi se ka marrë prej kompanisë gjermane “Siemens” një rryshfet prej 200 mijë markash gjermane. Këto para i kanë kaluar kesh nëpërmjet një miku të tij.

Mandelis pranoi se i ka marrë paratë në formë sponsorizimi, për t’u rizgjedhur deputet në vitin 2002. Në këmbim, ish-ministri i Transporteve i ka dhënë kompanisë gjermane një tender prej 10 milionë eurosh, për blerjen e teknologjisë bazë për kompaninë e vetme të telefonisë fikse në vend, OTE.

Por bashkëpunimi midis gjigandit gjerman të teknologjisë dhe ish-ministrit, ka qënë mjaft i mirë, edhe për një sërë tenderash të tjerë, për të cilët Mandelis nuk pranoi të thotë se cilët ishin dhe sa para ka marrë në këmbim të dhënies së tenderit kompanisë “Siemens”.

Top Channel