Vetëm 24 orë para se shteti grek të shpallte pamundësi në pagesën e detyrimeve të tij financiare, ka hyrë në arkën e shtetit shuma prej 14.5 miliardë euro që së bashku me 5,5 miliardë që mbërriten para disa ditësh përbëjnë pjesën e parë të paketës së ndihmës prej 110 miliardë euro të BE-së dhe FMN-së. (UPDATE)

Pikërisht në orët e ardhshme Greqia do të shlyejë një kredi të vjetër financiare me vlerë prej 9,5 miliardë euro. Kështu që pjesa e mbetur e ndihmës do të shkojë në Fondin e Stabilitetet Financiar të vendit për mbështetjen e veprimtarisë bankare.

Ndërkohë udhëheqësit e sindikatave paralajmerojnë për protesta të fuqishme në prag të grevës së përgjithshme të 20 majit duke kundërshtuar masat e rrepta financiare.

“Politikanët janë ata që duhet të paguajnë të parët për këto masa dhe më pas pjesa tjetër e shoqërisë. Ata akoma nuk kuptojnë se çfarë  reaksioni të madh do të krijojnë. Ata akoma nuk kanë kuptuar se ajo që kanë filluar punëtorët grekë do të marrë dimensione europiane dhe ata që besojnë se qeverisin do marrin përgjigjen e tyre”, është shprehur Ilias Iliopoulos, sekretar i përgjithshëm i Uninonit të nëpunësve shtetërorë.

Qeveria e Papandreut ka marrë dje goditjen e parë, pas dorëheqjes së zëvendësministres së Turizmit, Anxhela Gereku, bashkëshorti i së cilës, këngëtari i shquar Tolis Voskopulos nuk kishte paguar detyrime tatimore me vlerë prej 5.5 milionë eurosh. Në momentet që Athina i ka shpallur luftë evazionit fiskal nga Ministria e Financave bëhet e ditur se përmasat tepër shqetësuese të tij shkojnë në 40% të Prodhimit të Përgjitshëm Bruto.

Parlamenti grek ka hedhur në rend të ditës projektligjin për përgjegjësitë e ministrave në detyrë, duke qartësuar opinionin publik se  qeveria nuk ka për t’u zbrapsur nga angazhimet për transparencë dhe respekt ndaj ligjit.

“Unë e kam rregulluar jetën time, kam endërruar, jam martuar. E keqja është për të rinjtë. I kanë ndaluar të ëndërrojnë”, shprehet një qytetare.

Sondazhet e fundi në shtypin grek tregojnë se 91% e grekëve janë të indinjuar me partitë dhe politikanët të cilët i konsiderojnë përgjegjës për gjendjen e vendit, por edhe i karakterizojnë si të privilegjuarit e shoqërisë që përdorin karierën politike për pasurimin e tyre.

Top Channel