Rruga e portit, “mollë sherri” mes institucioneve

17/05/2010 08:25

Mungesa e komunikimit zyrtar mes institucioneve për ndërtimin e rrugës së portit është kthyer në një tjetër objekt debati në distancë mes institucioneve.

Ndonëse investimi parashikon të rregullojë trafikun e rënduar të qytetit bregdetar dhe njëkohësisht të rrisë nivelin e sigurisë në port, pasi shkurton distancën mes shëtitores bregdetare dhe hyrjes së Durrësit, vazhdon të jetë “mollë sherri” mes institucioneve.

Ndonëse me shumicë votash KRRT-ja e Durrësit e ka hedhur poshtë projektin e bashkisë për ndërtimin e kësaj rruge të re paralel me murin rrethues të portit detar, bashkia ka shpallur tenderin për lotin e parë të këtij projekti. Tenderi do të zhvillohet në fund të këtij muaji dhe ndërsa kryebashkiaku Dako shpreson tek arritja e marrëveshjes me anëtarët e djathtë të KRRT-së që kanë shumicën, kreu i Autoritetit Portual Durrës, njëkohësisht këshilltar bashkiak, deklaron se e djathta nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por kundër projektit të ofruar nga bashkia. Sipas tij, projekti anashkalon zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm siç është ai i shpronësimeve dhe lë vend për dyshime.

Një pjesë ku shtrihet gjurma e rrugës mendohej se ishte pronë e Hekurudhës Shqiptare, pasi ndodhet aty ku dikur ndodhej stacioni hekurudhor i udhëtarëve dhe sot Drejtoria e Përgjithshme e HSH-së. Në vitin 2007, Këshilli Drejtues i HSH-së, me një vendim ia kaloi këtë territor Autoritetit Portual Durrës, por në po këtë vit vendimi i Komisionit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë që udhëhiqet nga Kryeministri, e përfshinte ndërtimin e rrugës në planin e përgjithshëm rregullues urbanistik të qytetit, të miratuar prej tij.

Në atë kohë u mblodhën palët për të diskutuar dhe përcaktuar gjurmën e rrugës dhe porti detar duhet të japë një pjesë të tokës te pika e karburantit “Çollaku” dhe një tjetër te kryqëzimi që të çon në kalatën lindore. Ndërkohë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme Durrës në një kthim përgjigjeje ndaj APD-së ka zbardhur faktin se pronare të këtij trualli, përveç Hekurudhës, janë dhe shumë familje durrsake, duke nxjerrë në pah problemin e shpronësimeve. Gjurma nga kalon rruga ngjitur me murin rrethues të portit bie mbi pasuritë e 34 subjekteve të ndryshme, mes tyre dhe familjet Cenkolli, Kosova, Katroshi, Begteshi, Kokomani, Kelmendi, Merje, Ferri etj. Për të djathtët është pikërisht paqartësia me statusin juridik të tokës dhe dyshimet se bëhet fjalë për interesa në fushën e ndërtimit që e lidhin kryebashkiakun me shmangien e çështjes së shpronësimit. Flitet për 8 parakontrata për ndërtime pallatesh, por që askush nuk mund t’i verifikojë.

Të njëjtat pretendime ngrihen dhe për insistimin e Dakos kundër ngritjes së portit të peshkimit në vazhdimësi të shëtitores bregdetare, pavarësisht se kundërshtimi është mbështetur në prekjen e imazhit të qytetit në pjesën më turistike të tij dhe në ndotjen e mjedisit. Kryetari i KRRT-së së Durrësit, dhe njëkohësisht kryetar i bashkisë, Vangjush Dako, thotë se ka shpallur tenderin dhe pret që në mbledhjen e ardhshme të komisionit, që pritet të jetë para datës 28 maj, të arrihet marrëveshja me anëtarët e djathtë të KRRT-së, që përbëjnë shumicën, si dhe me Autoritetin Portual për shkëmbim toke, në mënyrë që ndërtimi i rrugës të mos pengohet. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu, duke pohuar se APD nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por kërkon vendosjen e një komunikimi zyrtar, të munguar deri më sot, për shkëmbimin e tokës dhe problemet që rrjedhin nga statusi juridik i saj.

Aktualisht, Durrësi ka vetëm një rrugë hyrëse-dalëse në qytet, atë të Urës së Dajlanit dhe 3 vitet e fundit ndërtimi i rrugës paralele me rrethimin e portit ka mbetur i pazbatuar, ndonëse është miratuar në KRRTRSH si pjesë e Planit Rregullues Urbanistik të qytetit. Përcaktimi i gjurmës së kësaj rruge që kundërshtohet nga palët, mban peng ndërtimin e saj, ndërsa në fund të këtij muaji do të zhvillohet tenderi për lotin e parë të punimeve në një gjatësi prej 800 metrash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA