Brukseli bëri të ditur se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, jo vetëm që nuk do të jetë i lehtë, por gjithçka do të bëhet edhe më e komplikuar si pasojë e vështirësimit të kritereve.

Ka qenë anëtari i kabinetit “Barroso”, çeku Stefan Fule, i cili ka deklaruar se progres- raportet e Komisionit ndaj Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës do të jenë më të ashpra.

Ritmi i shpejtë i reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian, në radhë të parë varet nga politikanët e brendshëm, vuri në dukje komisioneri europian për Zgjerimin të BE-së, Stefan Fule, në një intervistë që i dha këto ditë radios “Europa e Lirë”, duke paralajmëruar se ka shumë të ngjarë që, në të ardhmen, të ashpërsohet vlerësimi nga BE-ja i progresit të bërë nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, qoftë edhe për shkak të përvojave të këqija të Rumanisë dhe të Bullgarisë.

“Komisioni Europian nuk bën gjë tjetër veçse përcakton kriteret dhe standardet, kurse të tjerat duhet t’i bëjnë aktorët e brendshëm, pra t’i miratojnë dhe t’i zbatojnë ato. Do të desha t’u bëja të qartë qytetarëve dhe politikanëve të vendeve-aspiruese për në BE që të mos mendojnë se procesi i anëtarësimit, pra dinamika e tij, kontrollohet nga BE-ja”, vuri në dukje z. Fule.

Duke pasur parasysh situatën ekzistuese midis vendeve ballkanike, sidomos marrëdhëniet e bllokuara mes Serbisë dhe Kosovës dhe gjendjen në Bosnjë e Hercegovinë, Fule deklaroi se, pikërisht për këtë arsye, me synimin për ta nxjerrë këtë rajon nga një situatë e tillë, NATO-ja dhe BE-ja janë të pranishme dhe po investojnë në Ballkanin Perëndimor.

“Për këtë arsye vendet-anëtare të këtyre dy grupimeve janë kaq të bindur se vetëm prosperiteti dhe stabiliteti i vendeve të rajonit janë ata që do të mund të sigurojnë hyrjen e tyre në BE dhe NATO. Kjo është edhe arsyeja se përse ne po angazhohemi kaq shumë në Ballkan dhe jo vetëm duke kontaktuar me politikanët e Ballkanit, që të arrijmë të pengojmë çfarëdo lloj skenarësh të këqij. Sidoqoftë, unë jam optimist, pasi progresi i bërë nga këto vende është i dukshëm. Kroacia ndodhet në fazën përfundimtare të bisedimeve të anëtarësimit në BE, ndërsa, sa i përket ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, presim vetëm ‘dritën e gjelbër’ nga një vend anëtar i BE-së që t’i fillojmë këto bisedime”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin të BE-së”, tha ai.

Sipas Fules, zhvillimet e fundit lidhur me krizën e borxheve në Greqi dhe dukuritë e korrupsionit në disa vende anëtare të BE-së, si në Rumani dhe Bullgari, do të mund të ndikojnë tek ashpërsimi i vlerësimit të progresit të vendeve ballkanike, pra të kushteve që ato duhet të plotësojnë. “Por, sidoqoftë, nuk mendoj se ndonjë faktor i jashtëm, përfshi edhe krizën ekonomike aktuale në BE, do të mund ta shtyjë procesin e zgjerimit. Kam mendimin se faktorët e brendshëm, pra reformat, janë vendimtarë për shpejtësinë e ecjes në rrugën drejt BE-së”, nënvizoi Fule në intervistën e tij në radion “Europa e Lirë”.

Top Channel