Përveç kritereve higjieno-sanitare, profesionale dhe certifikimeve të afishuara në vende të dukshme, klinikat dentare duhet të shkruajnë në një tabelë të dukshme edhe çmimet për çdo shërbim.
Urdhri është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë. Stomatologët janë lajmëruar se një nga kriteret e nevojshme për të marrë certifikimin nga strukturat shëndetësore, apo për miratimin e lejes aktuale, veç kritereve të tjera, është që të respektohet edhe urdhri i ri: afishim i çmimeve për çdo shërbim dentar, nga më i thjeshti deri te më i shtrenjti.
Kështu, pacientët krijojnë një ide më të qartë të kostos që do të ketë shërbimi shëndetësor, si dhe janë të informuar për sasinë e parave që do të derdhin në fund të procesit. Nga ana tjetër, inspektorët stomatologë, përveç kushteve higjieno-sanitare, rregullit të klinikës për pastërti, profesionalizëm dhe licencim, do të kontrollojnë edhe për zbatimin e urdhrit.
Kërkohet që të gjithë stomatologët të afishojnë listën e çmimeve të shërbimit, si dhe diplomën apo specializimet e kryera në fushën e stomatologjisë. Sipas sektorit të stomatologjisë, këto janë edhe dy kushtet kryesore që duhet të kërkojë çdo pacient para se të marrë shërbimin në një nga klinikat dentare në të gjithë vendin, në zona urbane apo rurale. Jo vetëm sektori spitalor, por dhe ai dentar tashmë e ka të detyruar publikimin e listës së të gjitha çmimeve për shërbimet që ato afrojnë.
Lista e çmimeve duhet të publikohet së bashku me diplomën dhe licencën për ushtrimin e aktivitetit. Dokumentacioni, licenca, kualifikimi i plotë i stomatologut, si dhe higjiena, janë kushtet kryesore që duhet të përmbushin klinikat stomatologjike për të vazhduar aktivitetin apo për të çelur një të ri, veç dokumentacionit të kërkuar nga zyra e licencave. Sipas sektorit të stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë nisur kontrollet në të gjithë vendin për zbatimin e standardeve dhe rregullave që kërkohen për të mbajtur një klinikë private stomatologjike. Ndërkohë që është menduar zbatimi i një projekti për vendosjen e pullës së sigurisë.
Njësoj si ilaçet, edhe qendrat dentare do të kenë “të ngjitur” një pullë sigurie. Kështu, të gjithë pacientët që shkojnë në klinikat stomatologjike për të trajtuar dhëmbët, sëmundjet e gojës apo edhe thjesht për konsultë, do ta kenë më të thjeshtë për të kuptuar nëse mjedisi ku ndodhen është vërtet i pastër dhe i kontrolluar. Pas përfundimit të një pjese të mirë të kontrolleve dhe referimeve të problematikave të vëzhguara nga inspektorët, do të shihet me prioritet nisja e shpërndarjes së pullave të sigurisë në të gjitha ato klinika të kontrolluara, të licencuara dhe të rregullta në zbatimin e standardeve të kërkuara, si për higjienë, ashtu edhe për profesionalizëm.
Top Channel