Në ditën e 16-të të grevës së urisë që po zhvillohet para kryeministrisë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ritheksuar se zgjidhja e krizës është transparenca, e cila sipas tij mbahet peng nga qeveria.
“Çdo orë që kalon është një përgjegjësi e rritur mbi supet e këtij pushteti që kokëfortësisht mban peng një zgjidhje të arsyeshme për t’i hapur rrugë transparencës. Duke hapur kutitë e të gjithë dokumentacionit zgjedhor dhe duke pritur nga një instancë e pavarur gjykimin mbi fletët e votimit.
Më herët kreu i socialistëve vizitoi deputetët Blendi Klosi dhe Agim Leka, si dhe qytetarët grevistë që ndodhen në Spitalin Infektiv pasi gjendja e tyre shëndetësore është tejet e rënduar.
Mjeku Sabit Brokaj deklaroi se gjendja shendëtesore e deputetit Blendi Klosi i cili është diabetik, është e tejet e renduar. Brokaj tha se duhet të presim të tjera komplikacione mes grevistëve.
“Mendoj që deri në ditën e fundit nga goja ime nuk keni për të dëgjuar që jam e dobët, nuk jam e dobët, jam e fortë pavarësisht faktit që varemi nga një serum, por u mësuam, është ushqimi ynë. Një njeri i sjellë me zor nuk mund ta bëjë kurrë këtë që bëjmë ne. Të gjithë jemi bashkë, është kauza për të cilën në jemi këtu, është dëshira e madhe që fëmijët tanë të rriten në një vend ku votohet dhe bota numërohet”, deklaron deputetja greviste Shegush Ligori.
Brenda çadrave numri i grevistëve ka nisur tç reduktohet çdo ditë e më shumë, por besimi në kauzën e tyre mbetet i fortë.
“Tanimë ky nuk është më një kapanon greve, tani është më shumë një pavion spitali. Pothuajse të gjithë njerëzit janë me serume. Disa serume në ditë, unë marr 4 litra dhe ka disa të tjerë që marrin më shumë. Besoj që gjithë kjo grevë në vetvete është një serum për një komb që ka nevojë të gjallojë. Kemi pësuar një rënie të numrit, rreth 45 veta janë sot në spital. Do ketë një grup njerëzish që do i shkojë deri në fund kësaj historie”, shprehet lideri i G99, Erion Veliaj.
Një nga drejtuesit e vjetër të socialistëve, Servet Pëllumbi ka takuar deputetët dhe qytetarët që për më shumë se dy javë janë ngujura në çadrat para kryeministrisë, dhe u ka kërkuar gjetjen e një konsensusi mes palëve.
“Unë e quaj krejtësisht të pafalshme që është dita e 16 e grevës dhe forcat politike ende nuk kanë gjetur mundësinë të ulen në tavolinë të diskutojnë, qoftë edhe një diskutim të thjeshtë. Kjo tregon që demokracia shqiptare nuk ka arritur pjekurinë që të zgjidhë problemet që krijon vetë. Demokracia është një sistem shumë i mirë pikërisht se riparon vetveten në rrugë e sipër, por kur ajo nuk është në gjendje të riparojë veten në rrugë e sipër do të thotë që demokracia në vend që të shkojë përpara shkon mbrapa’, deklaroi përfaqësuesi i PS-së, Servet Pëllumbi.
Top Channel