Ish kryeparlamentari socioalist, Servet Pëllumbi ka vizituar grevistët në bulevard ku është interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.
Pas vizitës në cadrat e grevistëve, Pëllumbi i ka dhënë një mesazh politikës shqiptare për të gjetur rrugën e dialogut.
“Une e quaj të pafalshme që është dita e 16-të e grevës dhe forcat nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve. Nuk mendoj se cështja ka ngecur në detaje por në mentalitet, në kulturën demokratike. Në demokraci duhet të lëshojnë të dyja palët, pra duhet gjetur një zgjidhje e mesme. Duhet të tërhiqen nga pozicionet fillestare dhe ne rastin konkret PS më duket se është terhequr, pasi kërkon thjesht hapjen e materialeve zgjedhore dhe jo të kutive”, theksoi Pëllumbi.
Ish kryeparlamentari shtoi gjithashtu se PD duhet të tërhiqet nga pozicioni fillestar pasi kjo situatë rrezikon vendin. “Tani ka ardhur një moment kur duhet menduar nga të gjitha palët me pjekuri me maturi, sepse ka një limit gjithcka, ka një limit greva, ka një limit durimi, ka një limit demokracia dhe vjen një moment që e merr në dorë populli. Po u shndërrua populli në turmë, destabilizohet vendi”, shtoi ai.
Sipas Pëllumbit, politikanët duhet të gjejnë mundësinë që të ulen në një tavolinë dhe të zgjidhin ngërcin politik. “Intelektuaët që mendojnë për të ardhmen, duhet të thonë me forcë mendimin e tyre, t’i përkushtohen kësaj situate. Realisht ajo që duket humbje e njërit ose e tjetrit eshte fitore e dëmokracisë dhe historia për këtë do t’i vlerësojë”, përfundoi Pëllumbi.
Top Channel