Sigurimet shëndetësore, shtohen 150 mijë persona

13/05/2010 08:45

Tremujori i parë i vitit 2010 ka sjellë një rritje të konsiderueshme të përdorimit të skemës së sigurimeve shëndetësore.

Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, kësaj skeme i janë shtuar 153 mijë persona. Ndërkohë që numri i vizitave është rritur me 160 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në mbledhjen e djeshme që ka zhvilluar Këshilli Administrativ i ISKSH-së, drejtoresha Elvana Hana pasqyroi të dhënat e rritjes së skemës së sigurimeve dhe pajisjes së personave me librezë shëndetësore.

“Gjate tremujorit janë pajisur për herë të parë me librezë shëndeti 153050 të siguruar, ndërkohë që në tremujorin e parë të 2009 u pajisen 82043 persona. Pra janë pajisur me librezë shëndeti 71007 të siguruar më shumë se një vit më parë”, tha Hana.

Po ashtu, sipas statistikave të referuara nga ISKSH gjatë tremujorit të parë të 2010-s nga mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore të kujdesit parësor janë trajtuar me receta me rimbursim 251518 pacientë.

Janë kryer 1415003 vizita dhe për pacientët e siguruar janë plotësuar 804,473 receta me rimbursim.

Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë 3-mujorit të parë të vitit ka një rritje në vlerë rimbursimi prej 22% më shumë, në vlerë absolute për 256 milionë lekë, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2009.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA