Kushtetuesja, Topi dekreton 3 emra

13/05/2010 15:40

Vangjel Kosta, njëri prej tre emrave të dekretuar nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është avokat me profesion.

Po ashtu është i angazhuar edhe në mësimdhënie pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti 93 deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë.

Anëtari tjetër është Bashkim Dedja. Fillimisht gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë Tiranë dhe prej më shumë se 10 vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës.

Në këtë pozicion, më 19 janar të 2009-ës ai u përzgjodh nga shorti i parë si anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Por me të drejtën që u jepte ligji, partitë e kontestuan bashkë me dy emra të tjerë dhe zoti Dedja nuk mundi të zgjidhej anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Në korrik të 2008-ës, gjyqtari Bashkim Dedja ishte një nga dy propozimet e presidentit për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Përfundimisht, Kuvendi miratoi kandidaturën e Adriatik Llallës.

Emri i tretë i dekretuar nga presidenti për në Gjykatën Kushtetuese është Altina Xhoxhaj, gjyqtare në gjykatën e shkallës së parë Tiranë.

Duke qenë 39 vjec, gjyqtarja Xhoxhaj mund të jetë gjyqtarja më e re në moshë e Gjykatës Kushtetuese. Por që prej vitit 2006, ajo është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Si gjyqtare e cështjeve civile, zonja Xhoxhaj ka gjykuar në shkallën e parë cështjen e prishjes së mbikalimit të Zogut të Zi.

Në vitin 2008, bashkë me katër emra të tjerë, ajo u dekretua nga presidenti i Republikës si anëtare e Gjykatës së Lartë.

Por pesë dekretet e presidentit u rrëzuan nga mazhoranca, e cila argumentoi atëhere se presidenti nuk ishte konsultuar më parë me Kuvendin.

Mbetet për të parë nëse tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të miratohen nga Kuvendi, duke qenë se dy prej tyre janë kontestuar në të shkuarën.

Por a do të futej Partia Demokratike në një konflikt me presidentin, kur ka një krizë të hapur politike me opozitën?

Me interes pritet edhe mendimi i opozitës, që ka kërkuar që emrat e rinj të jenë profesionistë dhe të pavarur nga ndikimet. Presidentit i duhet të dekretojë edhe tre anëtarë të tjerë për Gjykatën Kushtetuese dhe dy për Gjykatën e Lartë.

Top Channel