Me qëllim të ngritjes së vlerës së PTK-së e cila është në proces privatizimi, qeveria e Kosovës miratoi vendimin për ngrirjen e ngritjes së pagave dhe për ndalimin e punësimit të mëtejshëm në këtë ndërmarrje publike.

Vendimi, i cili u miratua në mbledhjen e radhës së qeverisë së Kosovës po kështu detyron PTK-në që  menjëherë t’i paguajë qeverisë një dividendë në shumë prej 80 milionë eurosh. Duke lexuar propozim vendimin, kryeministri Thaçi po kështu kërkoi nga PTK që të mos i ripërtërijë kontratat e punës pas 31 dhjetorit dhe që të sigurojë mos zbatimin e asnjë projekti kapital që do të kishte nevojë për shpenzime të reja.

Në kuadër të mos zvogëlimit të vlerës së PTK-së gjatë procesit të privatizimit, ministri kosovar i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala i rekomandoi Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit që të mos bëjë licencimin e ndonjë operatori tjetër telefonik brenda periudhës 5-vjeçare. Ky propozim sipas Shalës është në frymën e propozimit të ngritjes së vlerës sa më të lartë të PTK-së.

Top Channel