Katër shqiptarë janë vrarë në Maqedoni, në fshatin Radush pranë Shkupit, në kufi me Kosovën, pas përleshjeve me policinë.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska ka deklaruar se viktimat po trafikonin armë dhe i janë kundërpërgjigjur thirrjeve të policisë me zjarr.

Ajo saktësoi se janë identifikuar tre prej tyre, 31 vjecari nga Prishtina Xhafer Shala, si dhe dy maqedonasit Qemal Fejzullahu dhe Shaban Zenuni.

“Pas informacioneve paraprake, policia mbrëmë vonë kishte vendosur një pritë për kontrollin e automjeteve. Rreth orës dy të mëngjesit, gjatë tentativës për të kaluar kamionin me armë, drejtuesit nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë dhe kjo e fundit është detyruar të hapë zjarr”, ka sqaruar Jankullovska.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen sepse situata është nën kontroll. Armët e gjetura janë të prodhimit jugosllav. Mes tyre ka 3 raketahedhës, një snajper dhe tre thasë me eksploziv të tipit TNT.

Top Channel