Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë pranë Kosovës në cdo sfidë me të cilën ajo do të përballet në të ardhmen.

Ka qenë ky mesazhi që ndihmësekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon u ka përcjellë autoriteteve kosovare gjatë vizitës së sotme në Prishtinë.

Gordon ka shprehur qëndrimin e Uashingtonit kundër cdo opsioni për bisedime të reja për statusin, duke theksuar se sot Kosova është një shtet me të gjitha atributet.

“SHBA janë kundër bisedimeve për statusin apo integritetin territorial të Kosovës, sepse Kosova sot është një shtet me të gjitha atributet”, ka deklaruar Gordon.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinje, të pavarura dhe sovrane dhe që mund të bisedojnë vetëm mbi këtë bazë.

Nga ana tjetër presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaci kanë falenderuar zyrtarin amerikan për mbështetjen.

Ata janë shprehur se Kosova ka marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinjë, përvec Serbisë, me të cilën gjithësesi janë të gatshëm të bashkëpunojnë.

Top Channel