Angli, shqiptari hakmerret për viktimat e luftës në Bosnje

12/05/2010 15:10

Gjenerali serb Radislav Krstic që  vuan dënimin me 35 vite burg për krime lufte në Bosnjë, është goditur me thikë nga një shqiptar në burgun Wakefield në veri të Anglisë.

Sipas një gazete britanike,  krimineli serb është goditur me thikë nga 22-vjecari shqiptar, Idrit Krasniqi që vuan dënimin në këtë burg për vrasje. Sëbashku me Krasniqin ishin edhe dy të burgosur të tjerë të cilët kishin kohë që mendonin për të sulmuar kriminelin serb të luftës. Motivi i goditjes së gjeneralit serb mendohet të jetë një hakmarrje e pastër për 8 mijë myslimanët e vrarë në Bosnje.

Burime nga burgu Wakefield kanë pohuar se qëllimi i goditjes ishte eleminimi fizi i Krstic. Ministria britanike e Drejtësisë ka konfirmuar nisjen e hetimit në burg për këtë incident. Ai është goditur me një thikë të prodhuar në kushte artizanale në burg me tehun e një brisku rroje të vendosur në një furcë dhëmbësh.

Gjatë këtij incidenti në burgun e sigurisë së lartë, Radislav Krstic fillimisht është rrahur dhe më pas është goditur me thikë. Ky kriminel lufte është arrestuar në vitin 1998. Tre vjet më pas është dënuar nga Gjykata si përgjegjës për krime lufte dhe  pjesmarrës aktiv në vrasjen e mijëra boshnjakëve në vitin 1995.

Top Channel