Pikërisht disa orë pas varrimit të dy prej tre nënpunësve të një filiali banke, që humbën jetën përgjatë protestave të ditës së mërkurë në Athinë, të dhëna të tjera rrënqethëse vijnë në dritë për të treguar se këto nuk ishin viktimat e vetme të krizës greke.

Brenda 5 ditëve të fundit, 4 persona të tjerë kanë vdekur duke i dhënë vetë fund jetës, për arsye se nuk përballonin dot pasojat që ka shkaktuar kjo krizë.

Në Patra nje 38 vjeçar, gardian burgu, baba i një fëmijë të mitur ka qëlluar veten me pistoletën e shërbimit duke shkruar një letër se nuk mund të shlyente dot borxhet.

Në Veria, një 71 vjeçar pensionist, është varur sepse nuk duronte dot gjendjen e tij të mjerë ekonomike.

Me të njëjtën mënyrë i kanë dhënë fund jetës një fermer 49 vjeç në Serrës, në veri të vendit, më shumë kredi bankare të papaguara dhe një shofer taksie në Selanik, vetëm 45 vjeç, i mbytur edhe ai në borxhe.

Gjendja poshtëruese në të cilin ka arritur vendi, përveç asaj ekonomike, poshtërimi shpirtëror është për mua një çështje tepër serioze.

Grekët shfaqen të dëshpëruar dhe tepër pesimistë për të ardhmen, sidomos pas masave të rrepta financiare të qeverisë me synim reduktimin e defiçitit shtetëror.

Ndërsa janë ulur më shumë se 20% rrogat në sektorin shtetëror e pensionet dhe papunësia po shkon drejt shifrës 12%, inflacioni është rritur brenda vetëm një muaji nga 3,9 deri ne 4,8% për arsye të rritjes galopante të çmimeve në shumë sektorë, si dhe të rritjes së TVSH-së.

Gjithashtu tashmë Greqia zë vendin e 21 nga 27 vendet anëtare të BE-së, përsa i përket pabarazisë ekonomike të qytetarëve ose e thënë ndryshe shpërndarjen e të ardhurave në bazë të popullsisë, kur 20% e qytetarëve jetojnë nën nivelin e varfërisë.

Top Channel