EULEX: Bastisja, sipas ligjeve të Kosovës

07/05/2010 11:20

Zëdhënësja e misionit EULEX, Karin Limdal ka hedhur poshtë deklaratat e kryetarit të Parlamentit kosovar se, me bastisjen e sleisë së Ministrisë së Transporteve, misioni evropian ka bërë një show mediatik.

Limdal ka theksuar se EULEX nuk po e politizon sistemin e drejtësisë dhe u ka kujtuar autoriteteve kosovare se mbi ligjin nuk është askush.

“Rendi dhe ligji duhet të veprojnë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike. Gjykatësi i procedurës penale ka urdhëruar kërkimin e provave në Ministrinë e Transporteve dhe kjo është një procedurë normale, e bazuar në ligjet e Kosovës”,  ka pohuar Limdal.

Sipas saj, deklaratat se EULEX me bastisjen e ministrisë ka dhunuar institucionet e Kosovës janë deklarata të gabuara.

Zëdhënësja ka shtuar më tej se materialet e mbledhura në zyrat e dikasterit të drejtuar nga Fatmir Limaj po analizohen me kujdes.

Top Channel