Kur duhen edhe dy javë nga përfundimi i sezonit në kampionatit austriak, SV Ried ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm dhe shpreson te rikthimi i Hamdi Salihit.
Ai duket se është përfshirë në planet e merkatos së ish-skuadrës, që në muajin shtator 2009 e shiti te Rapidi i Vjenës. Sipas “Nachrichten.at”, drejtuesit e Riedit kanë një shpresë (të vogël) për rikthimin e shqiptarit, i cili shkëlqeu në këtë klub në sezonet 2007-2009.
Salihi nuk është parë kurrë nga trajneri i Rapidit, Peter Pakult, si një lojtar titullar. Ai do të presë zhvillimet e kësaj vere në klub, por duket se për të nuk ka shumë hapësira, vetëm në rast se do të shitet sulmuesi Nikica Jelaviç. Ndryshe ai do të duhet të shikojë një zgjidhje tjetër. Dhe këtu do të futej në lojë sulmuesi kosovar i Riedit, Atdhe Nuhiu, i cili shikohet si një zëvendës interesant nga Rapidi dhe do të ishte pjesë e tratativave. Për momentin, situata është ende shumë e paqartë, ndërkohë që për të mësuar më shumë rreth kësaj hipoteze, duket se do të duhet të presim verën.
Top Channel