Kryeministri Sali Berisha komentoi për herë të parë dje ecurinë e planit të qeverisë për emetimin e eurobondeve, duke deklaruar se këto plane u dëmtuan rëndë nga zhvillimet në Greqi, por pa pranuar se projekti ka dështuar.
I pyetur nga gazetarët në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha kritikoi deklasifikimin e Greqisë nga “Standard & Poor’s”, si dhe deklaroi se qeveria po konsultohet me “J.P. Morgan” dhe “Deutsche Bank” për të marrë një vendim se si do të procedohet më tej.
Deklaratat e Berishës janë në kundërshtim të plotë me ato të zëvendësministrit të Financave Nezir Haldeda. Ky i fundit po negocion intensivisht me investitorët e mundshëm dhe deklaroi të premten për Bloomberg se kriza greke nuk do të ketë ndikim dhe se Shqipëria do t’i emetojë bondet këtë javë.
“Në periudhën kur ne dolëm në tregjet financiare, ndodhi një gjë e paprecedentë, në dijeninë time, në historinë e tregjeve financiare. Një vend i eurozonës, fatkeqësisht, të nesërmen e asaj dite që unë isha në Londër u klasifikua në junk status. Ky është statusi më ekstrem në negativitet. Në rast se AA është statusi më pozitiv, junk është fatalitet në klasifikimin e kompanisë ‘Standard and Poor’s’”, u shpjegoi Berisha gazetarëve.
Por ai nuk e përmendi faktin se edhe Shqipëria nga S&P është gjithashtu në klasifikimin “junk” dhe tri gradë poshtë klasifikimit aktual të Greqisë. Por Kryeministri kritikoi edhe agjencinë e vlerësimit.
Top Channel