Protesta e opozitës është një provokim që po i bëhet sistemit demokratik të vendit nga ana e opozitës.
Kjo ishte deklarata që bëri dje kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në lidhje me vendimin e fundit të opozitës për të hyrë në grevë urie, deputetët së bashku me disa simpatizantë të saj.
“Uroj që kolegët e mi dhe të tjerët të mos kenë asnjë komplikacion për shëndetin, por në aspektin politik mund të them se kjo grevë është një goditje, ose provokim që i bëhet sistemit që ne bashkë kemi ndërtuar dhe mbajmë në këmbë prej 19 vitesh”, deklaroi kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi.
Sipas tij, me këtë grevë Rama po vendos një precedent të rrezikshëm, sepse po kërkon të arrijë me mjete radikale për ato që nuk arriti me zgjedhje të lira.
Po kështu, Patozi deklaroi se kjo grevë po bëhet vetëm për qëllime personale të Ramës, i cili nuk mund ta mendojë veten larg Kryeministrisë.
Nga ana tjetër, Patozi e konsideroi kërkesën për transparencën e zgjedhjeve si një pretekst dhe jo si një kauzë politike.
Madje, sipas Patozit, Rama me zgjedhjen e vendit për protestë në bulevardin kryesor është në vazhdën e provokimeve të tjera që kjo grevë mbart.
Top Channel