Afrimi i Egdar Canit në Kombëtaren shqiptare do të kërkojë pak më shumë kohë nga sa mund të parashikohej. Sulmuesi, i cili është në pronësi të Palermos, që gjatë këtij sezoni ka milituar fillimisht me Padovan dhe më pas me Piaçencën, shihet si një alternativë për të ardhmen e repartit ofensiv të kuqezinjve.
Të shtunën, trajneri Josip Kuzhe ishte i pranishëm në takimin Piaçenca-Viçenca, ku 20-vjeçari u aktivizua si titullar dhe mori pjesë në aksionin e golit të vendasve. Sipas burimeve zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit, tekniku kroat dhe lojtari nuk u takuan.
Menaxheri i Kombëtares, Denis Bastari, deklaroi se qëllimi i udhëtimit të drejtuesit të stolit në Itali ishte fillimisht për të vëzhguar lojtarin. Në të ardhme do të ketë të tjera monitorime të paraqitjeve dhe formës së Canit, përpara se palët të diskutojnë më konkretisht për aktivizimin e tij në përfaqësuese. Kuzhe ka ndërmend të tregohet i kujdesshëm, për të evituar një tjetër situatë aspak të këndshme si ajo me mbrojtësin Mërgim Mavraj. Mbrojtësi i Bokumit në Bundesligë i konfirmoi trajnerit dëshirën për t’u veshur kuqezi, por në momentin final, kur stafi teknik e kishte llogaritur në planet për të ardhmen, ai nuk pranoi, duke preferuar të priste ende për një shans në Kombëtaren gjermane.
“Udhëtimi i trajnerit Kuzhe drejt Italisë kishte si qëllim vetëm vëzhgimin e Canit, duke qenë se në të kaluarën lojtari ka deklaruar se do ta pranonte një ftesë të Kombëtares ‘A’ të Shqipërisë”, deklaroi Bastari. “Bisedë pas ndeshjes? Ai nuk u takua me lojtarin në përfundim të takimit, pasi ky ishte një vëzhgim. Në të ardhmen, trajneri do ta ndjekë përsëri nga afër sulmuesin”. Zyrtari i FSHF-së konfirmon më tej se Cani nuk shihet si një alternativë e mundshme për dy miqësoret e ardhshme të Shqipërisë, me Malin e Zi më 25 maj në Podgoricë dhe me Andorrën më 2 qershor në Tiranë. Hapat që do të hidhen drejt afrimit të “Kristian Vierit të ri” në skuadrën kuqezi do të jenë të matur. “Cani nuk do të jetë në miqësoret e radhës që do të zhvillojë Kombëtarja. Ai shihet si një element i rëndësishëm për të ardhmen, për të përforcuar sulmin, por do të punohet me hapa të matur dhe pa u nxituar. Trajneri është shtyrë nga eksperienca e mëparshme (rasti Mavraj), për të qenë më i kujdesshëm në veprime dhe për të shqyrtuar të gjithë situatën. Pas vëzhgimeve të tjera, Kuzhe dhe Cani do të ulen të diskutojnë me qetësi për hapat e mëtejshëm”.
Miqësoret e ardhshme pritet të shfrytëzohen për t’u dhënë një shans lojtarëve si Emilian Veliaj i Laçit apo ish-sulmuesit të Shpresave, Ahmed Januzi. Kandidatë potencialë për t’u grumbulluar janë edhe talenti i Vllaznisë, Bekim Bala dhe mesfushori i Tiranës, Gjergji Muzaka. Aty do të vlerësohet edhe forma e lojtarëve që luajnë jashtë Shqipërisë.
“Të premten luajtëm përballë një skuadre të kompletuar dhe, pavarësisht se pika nuk më ka kënaqur, përsëri është një rezultat pozitiv për ne”, referohet ai në prononcimin e fundit në lidhje me ndeshjen ndaj kavajasve, e cila u mbyll me një barazim 1-1, që më pas prodhoi edhe disa polemika, ku edhe vetë Starova akuzohej për një kompromis me teknikun e Besës, Shpëtim Duro.
Vetë trajneri i 24 herë kampionëve i ka hedhur poshtë këta zëra, të cilët i konsideron thashetheme dhe ka preferuar vetëm të analizojë lojën e skuadrës së tij. Në ditët e kaluara “Bobi” kishte tentuar të karikonte futbollistët e tij, duke i paralajmëruar se të gjithë janë në test, nëse do të meritojnë të jenë pjesë e Tiranës së sezonit të ardhshëm. Por nuk ka marrë përgjigje nga të gjithë futbollistët, pasi disa duket se e kanë zhgënjyer.
“Më duhet të nënvizoj se nuk jam i kënaqur me nivelin që kanë paraqitur disa lojtarë në ndeshjen ndaj Besës, sepse prisja më shumë nga një sfidë e tillë”, shpjegon Starova. Tirana do të luajë në distancë me Laçin për vendin e tretë. Nëse Vllaznia fiton Kupën dhe shkon në Europë dhe Besa sipas gjasave del e dyta, atëherë është e vështirë të parashikosh çfarë do të ndodhë. Tirana luan me Dinamon, në një ndeshje që pavarësisht se tifozët bardheblu po përgatiten që të prishin festën e Dinamos, kjo e fundit po përgatitet që t’i bëjë një dhuratë Tiranës. Në të njëjtën ditë luan edhe Laçi me Skënderbeun dhe atje në Laç nuk mund të gabojnë në një ditë kaq të madhe. Skuadrat janë me pikë të barabarta dhe nëse shkojnë kështu në javën e fundit gjithçka kthehet në një “triller”. Në rast se rezultatet Skënderbeu-Tirana dhe Kastrioti-Laçi kanë të njëjtën shenjë, atëherë Tirana është jashtë Europës, sepse Laçi ka më shumë pikë në ndeshjet direkte. E tëra për t’u parë. “Skuadra duhet të punojë akoma edhe më tepër, në mënyrë që në ndeshjet e mbetura të realizojmë objektivin, i cili është kualifikimi për në Europa League”, përfundon Starova.
Top Channel