Struktura e re e Policisë së Qarkullimit Rrugor është dërguar përsëri për firmë te ministri i Brendshëm.
Kjo është hera e dytë që dokumenti shkon në dikasterin e Bashës, pasi në mars ajo i ishte çuar këtij të fundit, por u tërhoq prej andej me pretendimin e drejtuesve të uniformave blu për të vjelë edhe mendimin e drejtorëve të policisë në qarqe.
Disa prej tyre kishin kundërshtuar krijimin e strukturës së pavarur, edhe pse kishte marrë miratimin e komisionit të politikave. Kjo i kishte detyruar drejtuesit të tërhiqeshin përkohësisht nga miratimi i kësaj strukture. Por, është ministri Basha ai që e ka rikërkuar draftin e strukturës së re, e cila pritet të marrë këto ditë edhe firmën e tij.
E vetmja gjë e re që pritet të reflektohet në këtë strukturë është krijimi i sektorit të edukimit, që hëpërhë do të ketë një shef dhe një vartës. Sipas hartuesve të draftit, nuk do të ketë rritje të numrit të efektivave që do të shërbejnë në strukturën e re të Policisë së Qarkullimit Rrugor. Një tjetër ndryshim është pavarësia e kësaj strukture nga drejtoritë e policisë së qarqeve me qëllim që të ketë përgjegjësi vertikale dhe kjo pritet të sjellë pakësimin e numrit të aksidenteve, si dhe ulje të trafikut rrugor.
Me këtë projekt pritet të ndryshohen edhe kompetencat e punonjësve të policisë rrugore, që do të veprojnë në shkallë vendi nëpërmjet 11 njësive dhe një drejtorie. Të 12 strukturat do të varen nga një drejtori në Policinë e Shtetit. Në majë të piramidës do të jetë një drejtori e qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, siç edhe është me strukturën aktuale. Por, në varësi të saj do të jenë 12 njësi, të vendosura në çdo qark.
Në Tiranë, duke qenë se qarkullimi i mjeteve është shumë më i lartë, do të vendoset një drejtori rrugore, ndërsa nëpër qarqe do të ketë vetëm njësi. Funksionet për këtë strukturë do të jenë të përcaktuara qartë me përgjegjësi vertikale, duke shmangur përgjegjësitë e drejtorive të policisë në qarqe.
Top Channel