Tri femra kanë tentuar vetëvrasjen gjatë dy ditëve të fundit në Berat dhe në Korçë.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes në kohë të familjarëve ato i kanë shpëtuar vdekjes, ndërkohë që ende ndodhen nën kujdes mjekësor. Kështu në Berat, gjatë mbrëmjes të së shtunës, janë regjistruar dy raste tentativash për t’i dhënë fund jetës.
Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se një vajzë 20-vjeçare dhe një e moshuar 82-vjeçare kanë tentuar t’i japin fund jetës duke konsumuar një sasi të konsiderueshme helmi dhe ilaçesh, por kanë shpëtuar nga vdekja falë ndërhyrjes në kohë të familjarëve. Burime pranë repartit të urgjencës në spitalin e Beratit bënë me dije se rreth orës 20.00 të mbrëmjes së të shtunës është sjellë nga të afërmit 20-vjeçarja Ade.Da., banore e fshatit Malas Gropë, në Komunën Poshnje të rrethit të Beratit.
Vajza mësohet se ishte gjetur në gjendje të rëndë për jetën në banesën e saj, ndërkohë që mjekët konstatuan se ajo kishte konsumuar një sasi helmi që përdoret kundër brejtësve. Menjëherë pas mbërritjes në spital, 20-vjeçarja i është nënshtruar ndihmës intensive dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që do të qëndrojë edhe për disa kohë nën kujdesin mjekësor. Policia po punon për të mësuar shkaqet që e kanë çuar të renë drejt tentativës për t’i dhënë fund jetës.
Ndërkohë një orë më pas, në repartin e urgjencës së spitalit të Beratit ka mbërritur Gjy. Ça., 82 vjeçe, e cila mësohet se kishte tentuar të vriste veten, duke konsumuar një sasi të madhe të ilaçeve që përdorte për sëmundjen e hipertensionit. Dyshohet se e moshuara ka qenë e mërzitur nga gjendja e saj shëndetësore dhe për këtë arsye ka tentuar t’i japë fund jetës.
Ndërkohë, paraditen e djeshme, në fshatin Caushlli të rrethit të Korçës, një 21-vjeçare ka tentuar vetëvrasjen me bar miu. Vajza është gjetur nga familjarët dhe është transportuar me urgjencë për në spitalin e Korçës. Pas trajtimit mjekësor, 21-vjeçarja M.Bici e ka kaluar rrezikun për jetën, por gjendja e saj shëndetësore vazhdon të mbetet e rëndë. Policia lokale ka bërë të ditur se vajza ka konsumuar bar miu për t’i dhënë fund jetës së saj. Ndërkohë që po hetohet rreth shkaqeve që e kanë shtyrë vajzën drejt vetëvrasjes, pasi nuk ka rezultuar të ketë pasur konflikte në familje ose probleme të tjera shëndetësore.
Top Channel