Shtyhet marrja e borxheve

02/05/2010 20:10

Kriza greke e ka detyruar qeverinë shqiptare të shtyjë për disa ditë marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtar.

Ankandi për emetimin e eurobondit prej 400 milionë euro ishte parashikuar të mbahej në fund të prillit, por agjencia britanike e lajmeve Reuters, e cila citon disa burime nga bankat londineze, shkruan se autoritetet shqiptare kanë vendosur ta shtyjnë emetimin e  eurobondin për javën tjetër, në pritje të zhvillimeve të reja nga Greqia.

Efektet e krizës së rëndë që ka përfshirë financat e shtetit grek, po shtrihen në të gjitha vendet e rajonit, të cilat janë në nevojë për likuiditet.

Qeveritë e rajonit, të cilat kishin programuar më parë të merrnin hua në tregun ndërkombëtar, po rishikojnë planet e tyre. Qeveria malazeze e cila kishte planifikuar emetimin e një eurobondi prej 200 milionë eurosh në fillim të majit, duket e ka pezulluar përkohësisht proçesin.

Edhe ministri çek i financave Ivan Fuska njoftoi zyrtarisht shtyrjen pa afat për marrjen e borxhit që Çekia kishte programuar në pritje të kushteve më të mira.

Analistët financiarë thonë se kjo nuk është koha më e mirë për të marrë borxh. Interesat janë rritur si pasojë e krizës greke dhe parashikimet janë që ato të mbeten të larta, të paktën edhe për dy muajt e ardhshëm.

Megjithatë qeveria shqiptare duket e vendosur për të marrë hua në valutë, për të shlyer kredinë e shtrenjtë që mori vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës, por edhe për t’i dhënë frymarrje financave të shtetit në vështirësi prej mëse një viti.

Tashmë ajo që mbetet për t’u parë është a do të jetë i suksesshëm proçesi dhe se cilat do të jenë normat e interesit të borxhit, të cilat nëse do të kalojnë kufirin 7.5 për qind të vendosur nga parlamenti, mund të hapin të tjerë skenarë duke e detyruar qeverinë ose të rinegociojë për kushte më të buta, ose të rikthehet në parlament për të kërkuar autorizim për interesa më të larta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA