Rama: Kjo betejë, beteja e një populli

02/05/2010 20:00

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama foli rreth orës 19:00 para protestuesve të grumbulluar pranë kryeministrisë. Rama tha se kjo betejë nuk është beteja e Partisë Socialiste për të marrë pushtetin, por beteja e një populli të tërë.

“Kjo përpjekje, kjo betejë nuk është përpjekja dhe beteja e një partie politike për të marrë pushtetin, por e një populli që është goditur në ëndrrat dhe shpresat duke i mohuar drejtpërdrejt për të investuar tek këto endrra, siç do demokraci investon tek kutia e votimit. Me kutinë e votimit janë mbyllur aspiratat legjitime të çdo qytetari. Në ato kuti janë rrënjët e së keqës që po mbyt çdo ditë Shqipërinë, është burimi i llumit që derdhet përditë në jetën tonë të përbashkët, që mbyt lirinë e njerëzve të zakonshëm, që vuajnë sepse nuk marrin dot atë që u takon, nuk gëzojnë atë që kanë pronë të tyre, nuk janë dot pjesë e pasurisë së përbashkët të këtij vendi, nuk mbajnë dot punën sepse i flakin nga puna”, nisi fjalën e tij Rama.

Më tej kreu socialist tha se është grisur kontrata, sipas tij, e votës së lirë që lidh pushtetin me popullin. Rama tha se opozita është qëndresa e fundit që i ka mbetur Berishës para se të bëhet mbret i pashpallur.

“Ky pushtet ka grisur kontratën që e mban të lidhur me popullin, që është vota e lirë. Opozita nuk është problemi i këtij vendi, është problemi i fundit që ka mbetur për Berishën që të bëhet mbret i pashpallur. Kur qeveria nuk buron nga vota e qytetarëve nuk do t’ia dijë për qytetarët, kjo është arsyeja pse nuk tërhiqemi nga kjo betejë”, vijoi më tej Rama.

Rama duke vlerësuar rolin e Policisë së Shteti dhe garancisë së dhënë ndaj mbështetësve se askush nuk do mund t’i lëvizë nga greva dhe protestat përballë kryeministrisë, foli për mitingun festiv të organizuar nga maxhoranca më 1 maj në shëhin “Nënë Tereza” duke e cilësuar atë si mënyrë për të mbuluar hallet dhe problemet që kanë njerëzit.

“Sot në Shqipërinë ku qeveria feston 1 majin, gjysma e krahut të punës është e papunë, gjysma e popullit nuk punon dot. Festohet për të mbuluar gjithë këto plagë, këto halle e probleme, me festa njësoj si në regjime diktatoriale: festa, dru, uri. Mblidhen në koncert njerëzit për t’u përcarë me shpatën e një urrejtjeje që është e vetmja armë që ka Berisha për të mbajtur pushtetin e tij, asgjë s’na ndan ne me njerëzit e partisë që ka hyrë në historinë e Shqipërisë si partia e shpresës së madhe”, përfundoi kreu i PS-së, Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA