PD: Opozita kundër Nato-s, dogjën flamurin

02/05/2010 22:25

Pamjet e djegies së një flamuri blu të shtunën paradite kanë shkaktuar polemika mes mazhorancës dhe opozitës.

Partia demokratike ka sulmuar socialistët duke i akuzuar se flamuri që është djegur nga një grup personash, sipas PD-së militantë të Partisë Socialiste ka qënë flamuri i Nato-s.

“Përpara këtij akti të turpshëm dhe të dënueshëm, që fakton se bijtë nuk i lënë gjë mangut etërve në ideologjinë e tyre, udheheqja e Partisë Socialiste, me verbëri dhe skllavëri të plotë, hesht duke pranuar kështu se ka qënë porositëse dhe organizatore e aktit”, deklaroi zëdhënësja e Selisë Blu Erla Mëhilli.

Nga ana e saj Partia Socialiste i ka quajtur pamjet një montazh televiziv dhe ka rrëzuar akuzat e ardhura nga mazhoranca.

“Akuzojmë drejpërsëdrejti televizionet e Sali Berishës për manipulim të qartë grafik me imazhe filmike që nuk kanë asnjë lidhje me atë që e gjithë bota pa në mbrëmjen e 30 prillit. Ky është pushteti i gënjeshtrës ndërsa ne jemi fuqia e vetëdijes qytetare”, kundërpërgjigjet PS me anë të zëdhënëses, Armela Imeraj.

Akuzat ndaj opozitës për djegien e flamurit janë qëndrimi i parë zyrtar i mazhorancës për protestën e socialistëve, e cila nisi të premten me një marshim dhe miting në bulevardin “Dëshmorët e kombit, ndërsa aktualisht po vazhdon me një grevë urie të deputëve dhe të përkrahësve të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA