Bogdani, pritja e gjatë për ndeshjen e 300

01/05/2010 10:55

Duhej ta kishte plotësuar prej kohësh këtë shifër jubilare të ndeshjeve në Itali, por Erjon Bogdanit i është dashur të presë shumë.

Kjo për një fakt të vetëm, se trajneri Di Karlo, marrëdhënia e të cilit me sulmuesin shqiptar tashmë është prishur në fazën e dytë, ka vendosur të mos ia japë këtë kënaqësi.

Nëse Bogdani do të zbresë në fushë këtë fundjavë, përballë skuadrës së Napolit në “Bentegodi”, do të ketë mundësinë të festojë ndeshjen e tij të 300-të zyrtarë në karrierën si futbollist profesionist në Itali. Deri tani ka koleksionuar 299 prezenca me bluzat e skuadrave Rexhina, Salernitana, Verona, Siena, Kievo e Livorno, të cilat janë të ndara: 174 në Serinë A, 106 në Serinë B, 16 në Kupën e Italisë dhe 3 në turne të tjerë. Në janar 2000 u transferua te Rexhina në Serinë A, ku në tre sezone e gjysmë shënoi 11 gola.

Debutimi absolut i Bogdanit si profesionist në Itali daton në shkurt 2000 në ndeshjen e Serisë A, Rexhina-Bolonja 1-0. Ndërkohë që me kalabrezët, Erjoni koleksionoi në total 37 prezenca, 4 gola në Serinë A. Në dysezonet pasuese u huazua te Salernitana dhe më pas te Verona, ku realizoi edhe kampionatin e tij më të mirë me 17 gola.

Stacioni i radhës ishte Siena, ku shënoi 13 gola në Serinë A në një sezon e gjysmë. Në 2007 u ble nga Kievo, më pas u huazua te Livorno, për t’u rikthyer te Kievo, me të cilën do të luajë deri në fund të këtij sezoni, kur edhe i skadon kontrata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA