Shalsi: Greva, një vendim i mirëpeshuar

30/04/2010 23:25

Deputeti socialist, Eduard Shalsi në një prononcim për Top Channel tha se vendimi i marrë për hyrjen e disa deputetëve të PS-së në grevë urie para kryeministrisë nuk ishte vendim i momentit të fundit, por një vendim i diskutuar gjërësisht në bazën socialiste.

“Nuk është një vendim i marrë papritmas, por i mirëpeshuar. Ka kohë që është diskutuar me bazën e PS-së. Në fakt kishte një gatishmëri nga të gjithë deputetët për të hyrë në grevë urie, por u vendos që një pjesë e deputetëve të qëndrojë brenda dhe një pjesë jashtë. Kauza jonë ka shumë përkrahës. Sot shumë shqiptarë për shkak të pamundësisë së transportit u solidarizuan nga ekranet e televizioneve. Qëllimi është ai që kemi përsëritur shumë herë, kauza jonë është hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhje dhe qeveria të provojë legjitimitetin e saj”, tha për  Top Channel, Eduard Shalsi.

Shalsi deklaroi gjithashtu se ka patur konfrontime me policinë dhe i kërkoi kryeministrit Berisha të heqë dorë nga provokimet.

“Sapo u informova se një nga anëtarët e FRESSH-it ndodhet me këmbë të thyer në spital. Ka patur konfrontime të policisë më një grup të rinjsh. Kjo qeveri ka provuar dita-ditës se nuk është në gjëndje të mënaxhojë. Sali Berisha mos provokojë më se nuk do jetë më përgjegjësia jonë por e tij. Jemi të vendosur për protestë paqësore. Kjo protestë do zhvillohet me mjete paqësore”, përfundoi deputeti Shalsi.

Top Channel