Lorik Cana paralajmëron Fergusonin

30/04/2010 13:20

E gjithë Anglia duket se është fiksuar me mundësinë që Liverpuli t’i heqë Çelsit titullin kampion në Premiership gjatë sfidës së fundjavës.

Por, Lorik Cana deklaron se më tepër kujdes duhet t’i kushtohet ndikimit të Sandërlendit në garën për titullit, me “macet e zeza” që të dielën presin në fushën e tyre Mançester Junajtid. Nëse Çelsi fiton në “Anfilld Roud”, “Djajtë e Kuq” janë të detyruar që të marrin pikët e plota në “Stadiumin e Dritës”, për të shpresuar të qëndrojnë në garën për titullin e 19-të.

Cana mendon se të gjithë ata që nuk besojnë se Sandërlendi mund të shndërrohet në faktor në duelin e kryesueseve, e kanë gabim.

Skuadra e Stiv Brus ka pësuar vetëm dy humbje në shtëpi gjatë gjithë këtij sezoni: me Çelsin në gusht 2009 dhe me Aston Vilën në mes të dhjetorit të kaluar.

“Mançester Junajtid është një prej skuadrave më të mira në Angli, ndoshta edhe në botë, dhe natyrisht që nuk na pret një ndeshje e lehtë përballë tyre”, deklaroi mesfushori i Kombëtares shqiptare.

“Megjithatë, ecuria jonë në shtëpi ka qenë fantastike dhe nuk shoh asnjë arsye përse Sandërlendi mos ta thotë fjalën e tij në garën për titullin kampion. Përpara tifozëve tanë kemi humbur vetëm dy ndeshje gjatë këtij sezoni, fillimisht me Çelsin, që kur është në ditën më të mirë mund të mposhtë cilëndo skuadër dhe kundër Aston Vilës, që fitoi me Junajtid në ‘Olld Traford’. Në të gjithë kampionatin, jemi skuadra që ka fituar më shumë pikë në shtëpi (34 të tilla) dhe askush nuk duhet të na nënvlerësojë. Jemi një kockë e fortë në fushën tonë. Nëse Mançesteri kërkon të fitojë Premiership-in, më parë ata duhet të na thyejnë në ‘Stadiumin e Dritës’.

Ne nuk duam t’i prishim punë askujt, por thjesht të bëjmë detyrën tonë. Gjithsesi, gabohen të gjithë ata që mendojnë se vetëm Çelsi ka një ndeshje shumë të vështirë në këtë fundjavë”. Ndërkohë, Lorik Cana është klasifikuar i treti në anketën e “Lojtarit më të Mirë” të këtij sezoni te Sandërlendi. Çmimi është fituar nga sulmuesi Daren Bent, autor i 25 golave, ndërsa i dyti u rendit portieri Kreig Gordon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA