Kuzhe, “Ok” Idrizajt për Kombëtaren

30/04/2010 13:30

Shanset që sulmuesi Besian Idrizaj të veshë fanellën kuqezi të Kombëtares në një të ardhme të shpejtë, janë të mëdha. Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, i ka hapur tashmë dritën jeshile talentit 22-vjeçar, ish-pjesëtarit të skuadrës së Liverpulit, i cili tashmë militon në Championship-in anglez (kategoria e dytë) me Suansi Sitin.

Lajmi është konfirmuar nga vetë menaxheri i sulmuesit kosovar, Mario Cenolli, një njeri me kredibilitet të madh në FSHF. Kontaktet e Cenollit me Idrizajn kanë filluar rastësisht, pasi menaxheri mbron edhe interesat e një tjetër sulmuesi të njohur kosovar me pasaportë finlandeze, Shefki Kuqit, i cili militon në të njëjtën skuadër me Idirizajn në ligën e dytë angleze.

Me ndërmjetësimin e Kuqit, Cenolli është takuar edhe me Idrizajn, i cili ka shprehur dëshirën për të luajtur për Kombëtaren kuqezi. Menaxheri tashmë ka nisur fushatën sensibilizuese të drejtuesve të FSHF-së rreth dëshirës së talentit për të luajtur në Kombëtaren shqiptare.

Gjithçka u përket zhvillimeve të 24 orëve të fundit, kur edhe janë zhvilluar kontaktet e para mes teknikut të përfaqësues sonë dhe menaxherit të lojtarit, Mario Cenolli. Për arsye se Kuzhe aktualisht ndodhet në vendlindjen e tij, nuk ka qenë i mundur një takim kokë më kokë mes tyre, por lidhja mes tyre është realizuar nëpërmjet telefonit. Menaxheri Mario Cenolli tha se ka komunikuar në telefon me Kuzhenë “dhe trajneri ishte dakord me idenë që Idrizaj të bëhej pjesë e Kombëtares. Por duke qenë se Kuzhe do të shkojë në fundjavë në Itali të takojë Edgar Canin, më gjerësisht për Besianin do të diskutohet kur ai të kthehet në Zagreb”, ka zbuluar menaxheri.

Sulmuesi 22-vjeçar, i lindur në Austri, në karrierën e tij ka qenë pjesë e klubeve austriake Admira Linz, LASK Linz e Uaker Insbruk, dhe atyre angleze si: Liverpul, Luton, Kristal Palas, Oldham Athletik, Bllekbërn Rovers dhe në fund Suansi Siti. Synimi i tij është të integrohet në përfaqësuesen shqiptare, pse jo që në dy ndeshjet miqësore të radhës. Por në një kohë kaq të shpejtë vështirë t’i realizohet dëshira. “Ende nuk mund të thuhet nëse Idrizaj do të jetë në miqësoren me Malin e Zi më 25 maj dhe në miqësoren me Andorrën më 2 qershor, sepse është edhe çështja e procedurave të pasaportës shqiptare, që nuk dihet sa mund të zgjasë, sqaron Cenolli.

Megjithatë, rëndësi ka fakti që lojtari vetë dhe familja e tij janë 100% të sigurt që ai të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare”. Idrizaj të mërkurën është aktivizuar në ekipin e dytë të Suansi Sitit, ku ka qenë edhe autori i një dopjete në fitoren 5-0 ndaj Salisbëri. Por Besiani nuk është i vetmi që interesohet për të veshur bluzën e Shqipërisë. Menaxheri Cenolli konfirmon se një tjetër talent kosovar, i cili po shkëlqen në kampionatet perëndimore, është i interesuar për të mbrojtur ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për të riun Andis Shala, i cili luan te skuadra skoceze, Dundi Junajtid. Shala, 21-vjeçar, sulmues me origjinë nga Kosova, në karrierën e tij para Dandi Junajtid është aktivizuar me Hannover 96 dhe Vrf Mannheim. Së bashku me Dani Junajtid ai do të luajë së shpejti në finalen e Kupës së Skocisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA